Burchhard dhe shqiptarët në Lindjen e Mesme

Burchhard dhe shqiptarët në Lindjen e Mesme

24 dhjetor 2017 11:45

Ky vit po shënohet në Evropë si në Lindjen e Mesme në shenjë të 200-vjetorit të vdekjes të dijetarit të madh gjermano-zviceran John Lewis Burchhard ose Johann Ludwig Burchhard (1784-1817).

Sa për Evropë, Burchard mbahet në mend për dy zbulime dhe për shume vepra referuese për Lindjen e Mesme, që ishte atëherë pak e njohur për evropianët: 1. Zbulimi i qytetit antik Petra në jug të Jordanisë, pas shumë shekujve në harresë, qytet ky i cili në vitin 2007 u zgjodh në krye të shtatë çudirave të reja dhe tani është qendër e turistëve që vijnë në Jordani, shkruan “Koha Ditore”. 2. Ai qe evropiani i parë që depërtoi në Arabi, dhe vizitoi Mekën e Medinën, paraqiti në veprat e tij të dhënat dhe vizatimet e para për profetin Muhammad dhe varrin e tij pasi që kishte shumë legjenda mbi të në imagjinatën evropiane.

J. L. Burchard u lind në Lozanë më 1784 si djalë i një oficeri gjerman i vendosur atje e, pas pushtimit të Zvicrës nga Bonaparti, iku me të atin në Gjermani. Aty u regjistrua në Universitetin e Tobengenit, që dallohej me studimet orientale. Megjithatë, ai në 1803 kaloi në Londër dhe vazhdoi studimet orientale në Kembrixh.

Më 1809 u nis për në Halep të Sirisë, duke shëtitur përreth për të zotëruar arabishten e të njihet me kulturën vendase. Për këtë qëllim pati sukses të madh pasi u deklarua si mysliman dhe u vesh si vendasit, me çka arriti të hyjë në Mekë dhe Medinë pasi që nuk lejohej hyrja e jomyslimanëve në këto dy qytete të shenjta për myslimanët.

Ndonëse nuk jetoi gjatë, pasi që u sëmur prej etheve dhe vdiq në Kajro më 1817, Burchhard la shumë vepra kapitale për Lindjen e Mesme që u botuan menjëherë dhe u bënë burime të dorës së parë pasi që prezantonin të dhëna krejt të reja për Lindjen e Mesme, përkatësisht për Sirinë, Arabinë, Egjiptin dhe Sudanin. Me këto vepra, Burchhard bëri emër në Evropë si udhëpërshkrues me vizatime origjinale, gjeograf, historian e etnograf.

Sa për shqiptarët Burchhard u dallua me njohje shumë të mirë pasi qëndroi në Egjipt dhe në Hixhaz (1812-1816), në kohën kur Mehmet Ali Pasha kishte pushtetin dhe kishte dërguar mijëra ushtarë shqiptarë në Arabi për të luftuar e shuar lëvizjen vehabiste. Në opusin e tij të madh me mijëra faqe kemi shumë të dhëna për shqiptarët në Lindjen e Mesme në këto vepra: “Travels in Syria and the Holy land” (Udhëtimet në Siri dhe vendet e shenjta) që u botua në Londër 1822, “Travels in Arabia” (Udhëtimet në Arabi) që u botua në Londër 1829 dhe “Notes on the Bedouins and Wahabys” (Shënime për beduinët dhe vehabinjtë) që u botua në Londër 1831... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme