Qendra “Sami Frashëri” vatër e identitetit dhe kulturës shqiptare në Turqi

Qendra “Sami Frashëri” vatër e identitetit dhe kulturës shqiptare në Turqi

22 dhjetor 2017 15:06

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të vizitës në Republikën e Turqisë, ka realizuar takime në Qendrën e Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara, Institutin Yunus Emre, në Drejtorinë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB) e cila është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Turqisë dhe vizitë në redaksinë e gjuhës shqipe në Radio Televizionin e Turqisë (TRT).

Përmes një komunikate për media thuhet se gjatë vizitës në Qendrën “Sami Frashëri”, e cila administrohet nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, Ministri Gashi takoi studentët shqiptarë që studiojnë në Turqi dhe pjesëtarë të komuniteti shqiptar që jetojnë në Turqi. Ai e cilësoi këtë qendër si një vatër që e ruan dhe kultivon trashëgiminë e kulturën shqiptare në Turqi.

Thuhet gjithashtu se ministri i inkurajoi që të kultivojnë dhe mbajnë gjallë identitetin, gjuhën, kulturën dhe zakonet shqiptare edhe në Turqi.

“Tashmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Turqisë është hapur rruga për më shumë aktivitete dhe ngjarje në fushën e kulturës, dhe ato do të gjejnë edhe përkrahjen e ministrisë”, u shpreh Gashi, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, Gashi u takua edhe me dy zëvendësdrejtorët e Drejtorisë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB), Huseyin Gundogar dhe Sayit Yusuf, me të cilët ministri diskutoi për bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë në kuadër të përkrahjes profesionale për studentë të Kosovës që ata të arsimohen në fushën e Trashëgimisë Kulturore në universitetet turke, pasi kjo drejtori ndan bursa të plota studimi për studentët e interesuar të studiojnë në Turqi.

Kurse gjatë vizitës së Gashit në Institutin Yunus Emre, në diskutimin e zhvilluar me kryetarin e institutit Seref Ates u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e aktiviteteve si në Kosovë ashtu edhe në Turqi duke mundësuar kësisoj njohjen më të madhe mes kulturave tona si dhe shkëmbimin e përvojave mes artistëve e performuesve të kulturës.

Gashi ka vizituar gjithashtu edhe Radio Televizionin e Turqisë (TRT) ku u takua me drejtorin e televizionit Ibrahim Eren, me të cilin diskutuan për mbulim më të madh nga ana e TRT-së të ngjarjeve që kanë të bëjnë me kulturën, trashëgiminë e gjuhën shqipe pasi që komuniteti shqiptar në Turqi është në një numër shumë të madh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme