Kulturë

“Fëllanzat” me tregimin që thuret nga zëri i grave të dhunuara

Tregimi ndërtohet nëpërmjet dy narratoreve. Kujtimet e dy motrave kryqëzohen për ta plotësuar historinë e dhimbshme. Lexuesi herë i takon në hapësira të ndara e herë në të njëjtin vend.

Në të dyja rastet “Fëllanzat” është një tregim i fuqishëm dhe paralajmërimi për këtë bëhet qysh në fillim, kur përshkruhet si “libër me tregim të inspiruar nga dëshmitë faktike të grumbulluara nga gratë, të mbijetuara të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë”. Këto dëshmi ishin publikuar nën titullin “Unë dua të dëgjohem” në maj të këtij viti. Projekti i organizatës joqeveritare “Integra” e “forumZDF” qe promovuar edhe në gjuhën serbe në muajin korrik në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”.

Autori i “Fëllanzat”, Gazmend Bërlajolli, rrëfimet reale të dhjetë grave i kishte përkthyer nga gjuha shqipe në anglisht. Kjo eksperiencë e kishte nxitur të shkruante edhe vetë një tregim, të bazuar kryekëput në dëshmitë e grave të përfshira në projektin “Unë dua të dëgjohem”.

Në Qendrën Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, të enjten, kur u prezantua publikimi i “Fëllanzat”, Bërlajolli ka rrëfyer se si në fund të vitit të kaluar nga “Integra” ishte angazhuar të merrej me përkthimin në anglisht të historive që janë përfshirë në libër. E kishte planifikuar ta përfundonte punën brenda një jave.

Shkëlzen Gashi, hulumtues e publicist, ka folur për fenomenin e dhunimit në luftën e Kosovës, në vitet 1998-99.

Korab Krasniqi nga Forum “ZDF”, që ka mbështetur publikimin e librit bashkë me “Integran”, ka thënë se “Fëllanzat” është tregim i bazuar në dëshmi faktike nga “Unë dua të dëgjohem”- libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara prej torturës dhe dhunës seksuale në luftë.

“Fëllanzat” është publikuar në formën e një tregimi në dy gjuhë: shqip dhe anglisht, me titullin “Blackbirds”. Mes rrëfimesh lexuesi e has edhe tekstin e këngës shqipe mbi të cilën është bazuar titulli: “...dil prej ujit o mos dalsh kurrë, dil prej ujit o mos dalsh kurrë, fëllanzo o fëllanzo, fëllanzo o fëllanzo...”(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).