Kulturë

“Shoqëri në alarm” për çlirim nga patriarkaliteti

Gratë dhe burrat duhet të çlirohen nga sistemi patriarkal. Që të dyja palët janë viktima të kësaj tradite. Njëra palë përballet me dhunën, teksa tjetra e ushtron atë. Të përmbledhura në katër kapituj, tekstet e sociologes Sibel Halimi në librin “Shoqëri në alarm” sjellin një këndvështrim socio-filozofik për zhvillimet e gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare. Ofrojnë opsione për rrugëdalje të mundshme.

Libri i autores Halimi i botuar nga Botimet KOHA, me recensentë filozofët Muhamedin Kullashi e Hasnije Ilazi dhe sociologun Anton Berisha, subjekt qendror e ka trupin e gruas, si dhe qëndrimin e shoqërisë kosovare në relacion me të dhe gruan si subjekt. Atë e deshifron si subjekt të lënë anash e që realisht nuk del të ketë marrë vëmendjen e nevojshme në shoqërinë kosovare.

Antropologia, Nita Luci ka thënë se Halimi flet për burrat si baballarët e kombit, ata që formuan, zhvilluan dhe drejtojnë shtetin.

Sociologia Linda Gusia ka thënë se për të paraqet rëndësi të veçantë lokalizimi i dijes që e bën Halimi, dhe lidhja midis akademikes dhe aktivizmit.

“Ky libër nuk është kundër burrave, por i bën bashkë burrat edhe gratë për të luftuar patriarkalitetin, nga i cili në fakt edhe vetë burrat janë viktimë, sepse është dashur të mos qajnë e të ushtrojnë dhunë. Prandaj libri çliron edhe burrat, edhe gratë”, ka thënë autorja... (Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).