Syri i artistit kosovar në Amsterdam largon shpirtrat e këqij

Syri i artistit kosovar në Amsterdam largon shpirtrat e këqij

20 dhjetor 2017 15:02

Nëse dikush ka sy të kaltër në Turqi a Lindje të Mesme, është mirë që në fillim ta thyejnë shikimin.

Sipas besimit të vjetër helen, njerëzit me sy të kaltër sjellin fat të keq. Por falë ligjeve të besëtytnive, ekziston një formë shumë e mirë për t’u përballur me të: hajmalia. Kjo është zakonisht e bërë nga qelqi në formën e syrit të kaltër, e cila krejt të keqen e mban larg.

Kështu nis shkrimi i Creators Vice, të cilin e transmeton sot “Koha Ditore”.

Në Lindjen e Mesme gjen të tilla gjithandej – si stoli, në shtëpi e ferma, në taksi dhe madje edhe në aeroplan. Por falë artistit kosovar Driton Selmani, tani është “sy i Fatimës” i madh në digat e lumit Amstel, në formën e një vepre arti me ndriçim që e ka titulluar “Eye to Eye”. Jo vetëm për të mbrojtur njerëzit nga e keqja, por edhe kundër ndikimeve djallëzore që e kanë mbërthyer Evropën dhe po e kontrollojnë për vite të tëra, siç është terrori, frika e gjëra të tilla.

“‘Syri është më shumë si përgjigje e nevojshme për diçka që tani neve po na mungon”, ka thënë Selmani. “Ka për qëllim që të jetë një monument që na lidh me veten tonë përsëri, e këtë duke e bërë me kuptimin e dritës”, ka shtuar ai. Duke qenë konstant në vrojtimin e gjërave mbi Amsterdamin, për banorët e vizitorët, Dritoni dëshiron që të krijojë një vend për paqe dhe t’u japë spektatorëve ndjenjë të sigurt.

Dritonit i mori një vit kohë që ta sjellë në jetë hajmalinë e tij. “Në atë periudhë kisha vështirësi me një listë të madhe të pikëpyetjeve. Procesi i prodhimit eventualisht u bë kombinim i mrekullueshëm i gabimeve dhe vendimeve”, ka thënë Selmani. Për realizimin e instalacionit ai punoi bashkë me një kompani holandeze për një muaj. “Ne kemi përdorur lesh qelqi dhe drita LED. Si shtesë, bashkë me producentin teknik të ‘Amsterdam Light festival’ kemi zhvilluar një sistem për të krijuar një re mjegulle”, ka thënë Selmani.

Në veprat e mëparshme të Dritonit si – “Wanderlust” apo “Utopia”, për vendet që nuk ekzistojnë – simbolet politike, kulturore dhe historike me rëndësi universale luajnë rol të madh për të. “Eye to Eye” nuk është përjashtim i kësaj nisme: “Si artist, në mënyrë konstante kërkoj mënyra për të marrë një kundërreagim ndaj ngjarjeve të fundit ose të qëndroj tek fenomenet moderne”, sqaron Dritoni. “Momentalisht, qytetet rreth botës janë të lëna nën hije si pasojë e pasigurisë dhe frikës. Kjo nuk ka krijuar vetëm nevojën për strehë fizike, por gjithashtu edhe për vende ku njerëzit mund të shohin me sy të freskët dhe ndjenjat t’i vënë në vend”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme