“Berlinalja” zbulon shtatë filma të rinj për çmimin kryesor

“Berlinalja” zbulon shtatë filma të rinj për çmimin kryesor

20 dhjetor 2017 13:05

Regjisori amerikan Gus Van Sant, filmografia e të cilit përfshin tituj të njohur si “My Private Idaho” dhe “Good Will Hunting”, do të kthehet në Berlin vitin e ardhshëm për të konkurruar për çmimin për filmin më të mirë, me projektin e tij më të ri, “Don’t Worry, he Won’t Get Far on Foot”, me protagonistë Joaquin Phoenix, Jonah Hill dhe Jack Black, bën të ditur sot “Koha Ditore”, duke cituar DW.

Premierën botërore në këtë festival do ta ketë edhe filmi i ri artistik i regjisorit francez Benoit Jacquot, me titull “Eva”, që ka në rol kryesor aktoren franceze Isabelle Huppert, e që po ashtu është pjesë e garës kryesore. Janë edhe dy filma gjermanë në mesin e shtatë filmave që janë zbuluar, përfshirë dramën e Thomas Stuber “In the Corridors” me protagoniste aktoren gjermane Sandra Hueller dhe “My Brother is Called Robet and is an Idiot” me regji të Philip Gröning. Përveç tyre, në konkurrencë zyrtare janë edhe bashkëprodhimi ruso-polako-serb “Dovlatov” me regji të Alexey German JR, “Figlia mia” e regjisores italiane Laura Bispuri dhe “Twarz” nga filmbërësja polake Malforzata Szumowska.

Filmi i animuar i Wes Andersonit, “Isle of Dogs”, do ta hapë “Berlinalen” e vitit të ardhshëm. Festivali po ashtu e ka zbuluar edhe programin nga seksioni “Berlinale Special”, që është i rezervuar për “produksionet e reja të jashtëzakonshme që meritojnë vëmendje të veçantë për shkak të ngjarjeve aktuale”.

Në mesin e titujve që do të shfaqen në kuadër të këtij seksioni janë “The Silent Classroom” i Lars Kraume, një dramë mbi Luftën e Ftohtë e bazuar në ngjarje të vërtetë dhe bashkëprodhimi britaniko-gjerman i Isabel Coicet “The Bookshop”. Edicioni i 68-të i festivalit të filmit në Berlin do të mbahet prej 15 dhe 25 shkurt të vitit të ardhshëm.

Drejtori i festivalit, Dieter Kosslick, së fundi u përball me vështirësi kur 79 regjisorë të mirënjohur gjermanë kërkuan një riorganizim drastik artistik të festivalit të filmit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme