“ECMaNdryshe”: Rrënohet shtëpia e familjes Myftiu në Prizren, monument që mbrohej me ligj

“ECMaNdryshe”: Rrënohet shtëpia e familjes Myftiu në Prizren, monument që mbrohej me ligj

18 dhjetor 2017 16:19

Shtëpia e familjes Myftiu, monument i mbrojtur me ligj, që ndodhet në zonën e Qendrës Historike të Prizrenit, është rrënuar. Në këtë mënyrë Prizreni ka humbur edhe një ndërtesë të trashëgimisë kulturore me vlera arkitektonike dhe artistike.

Kështu ka bërë me dije organizata “EC Ma Ndryshe”, e cila thotë se në bazë të informatave të marra nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, rrënimi është bërë pa lejen e duhur të autoriteteve, ndërkohë që nuk ka pasur as ndonjë kërkesë për intervenim.

“Sipas të dhënave të publikuara në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të MKRS-së, shtëpia në fjalë është inventarizuar në vitin 2003, derisa nën mbrojtje të përkohshme është nga viti 2015-2016. Është klasifikuar si monument. Kjo shtëpi është e listuar edhe në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit”, thotë kjo organizatë.

Sipas kësaj organizate, në Databazë thuhet se shtëpia e familjes Myftiu gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në afërsi të Xhamisë së Emin Pashës. Ajo është ndërtuar në shekullin XIX, gjegjësisht më 1859, dhe tërë kohën ka shërbyer për banim.

“Autoritetet e trashëgimisë kulturore kanë bërë të ditur se në enterier shtëpia ruante elemente dhe ndërtesa origjinale të kohës dhe kishte vlera arkitektonike-artistike si në eksterier, ashtu edhe në enterier”, ka thënë më tej EC Ma Ndryshe.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme