Pas vdekjes së Robert Elsiet albanologjia është varfëruar

Pas vdekjes së Robert Elsiet albanologjia është varfëruar

18 dhjetor 2017 09:33

Kontributi i jashtëzakonshëm i albanologut Robert Elsie ka lënë gjurmë të madhe në historinë e shqiptarëve. Vdekja e tij konsiderohet humbje e madhe, e cila ka bërë që albanologjia të varfërohet dhe të mbetet memece në raport me kulturat e popujve të tjetër në botë.

Kështu u tha në takimin letrar “Esad Mekuli” të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në sesionin letrar që u mbajt në kujtim të Elsiet. Me këtë rast u lexuan katër kumtesa që i dedikohen jetës dhe krijimtarisë së albanologut të ndjerë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndër të tjerash, u tha se Elsie, duke hulumtuar gjurmët e lashtësisë shqipe, ka gjetur vlera që nuk janë arritur, qoftë nga mungesa e dijes, mungesa e parasë apo edhe nga mungesa e dijes shkencore të institucioneve shkencore në Kosovë e Shqipëri.

Këto institucione u kritikuan për veprimtaritë madhore që nuk kanë arritur t’i kryejnë, e të cilat në vend të tyre i ka bërë Elsie. Prandaj, edhe me ikjen e tij që nga data 2 e muajit tetor, sipas këshilltarit shkencor në Institutin Albanologjik, Emin Kabashi, albanologjia ka humbur shumë. Ai u paraqit me kumtesën e titulluar “Historia e albanologjisë pa Robert Elsien”.

“Albanologjia pa Robert Elsien ka mbetur, ashtu siç ka qenë, memece në raport me kulturat e popujve të tjerë të Evropës dhe botës”, ka thënë Kabashi.

Përveç Kabashit në këtë takim me kumtesa u paraqitën edhe kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Flora Brovina, me kumtesën “Respekt të nderuarit Robert Elsie”, këshilltarja shkencore në Institutin Albanologjik, Shefkije Islamaj, lexoi kumtesën “Robert Elsie dhe gjuha shqipe” dhe gazetari e publicisti Esat Bekolli u paraqit me kumtesën “Anët e kundërta të testamentit dhe të deklaratës së Robert Elsiet”.

Pas leximit të kumtesave në takimin që zuri vend në Institutin Albanologjik, u ndanë edhe çmimet “Bardi” që ndahen për punimet më të mira të lexuara akademike. Ramë Oraca është fituesi i çmimit të parë, i dyti Ligor Shyti dhe e treta Shqipe Hasani... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme