OJQ-të duan ligj që iu lejon shfrytëzimin e pronës komunale

OJQ-të duan ligj që iu lejon shfrytëzimin e pronës komunale

15 dhjetor 2017 12:49

Përmes një deklarate të përbashkët, 51 subjekte joqeveritare në Prishtinë kanë bërë thirrje për një ligj që do të ofronte mundësi për shfrytëzimin e pronës së komunës për qëllime jofitimprurës. Kjo thirrje vjen në prag të draftimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, i cili parashihet t'i dërgohet Kuvendit të Kosovës deri më 31 dhjetor 2017.

Deklaratë e përbashkët

Ligji duhet të ofrojë mundësi për shfrytëzimin e pronës së komunës për qëllime jo-fitimprurëse Ligji duhet t’i japë qasje OJQ-ve për shfrytëzimin e pronës komunale. Tani për tani vetëm bizneset janë ato që kanë qasje në këto prona. Ne kërkojmë që dhënia në shfrytëzim të pronave komunale të bëhet e mundshme edhe për subjektet jo-fitimprurëse.

Ligji i tanishëm përcakton paraqitjen e “ofertës me çmimin më të lartë” si kriter kryesor për dhënien në shfrytëzim të pronës së komunës. Ky kriter i favorizon bizneset dhe i diskualifikon subjektet jo-fitimprurëse nga procesi.

Ne, organizatat e shoqërisë civile, kërkojmë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta mundësojë shfrytëzimin e pronës së komunës për qëllime jo-fitimprurëse në Projekt-ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës.

Aktivitetet jo-fitimprurëse janë esenciale për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Megjithatë, shoqëria civile përballet me mungesë të hapësirave për zhvillim të aktiviteteve. Përmes dhënies në shfrytëzim të së paku 20% të pronave të secilës komunë,​ ky problem do të minimizohej në masë të madhe.

Andaj kërkojmë që ligji i ri:

1. Të përcaktojë një proces të veçantë për marrjen në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës vetëm për subjektet jo-fitimprurëse përmes konkurrencës së hapur.

2. Të përcaktojë që për këtë proces, të zbatohen përshtatshmërish dispozitat ligjore që vlejnë për subjekte fitimprurëse, me përjashtim të dispozitave që kanë të bëjnë me përfitimin ekonomik dhe çmimin më të lartë.

3. Të destinojë së paku 20% të pronave të paluajtshme të komunës për shfrytëzim jo-fitimprurës. Sa i përket mundësisë së rregullimit të këtij procesi përmes negociatave me kryetarin e komunës e cila po diskutohet nga MAPL, konsiderojmë se kjo zgjidhje nuk do ta adresonte plotësisht problemin. Pikë së pari, sepse jo të gjithë kanë qasje të njëjtë te kryetari i komunës, së dyti, se përmes negociatave me kryetarin e komunës kemi vetëm një subjekt që aplikon për ta shfrytëzuar një pronë dhe nuk garantohet qasja e barabartë e palëve, dhe së treti, se vetëm konkurrenca e hapur në mes të subjekteve jo-fitimprurëse garanton proces të hapur dhe transparent.

Po ashtu, në projekt-ligjin e ri dhënia në shfrytëzim e pronës për kohëzgjatje deri në 1 vit kalon përmes procedurës identike me dhënien në shfrytëzim prej 1 deri në 15 vite. Kjo paraqet pengesë të madhe për dikë që dëshiron ta shfrytëzojë pronën e komunës për 1 javë apo për 3 muaj, sepse e detyron të kalojë nëpër një proces të gjatë e burokratik.

Andaj kërkojmë që:

4. Procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës deri në 1 vit të rregullohen me akt nënligjor të posaçëm i cili miratohet nga komuna.

Konsiderojmë se përfshirja e këtyre kërkesave në projekt-ligjin e ri do të kontribuonte dukshëm në përmbushjen e interesit publik, duke qenë se ky është qëllimi kryesor i ligjit për shfrytëzimin e pronës komunale.

 

Për një ligj me mundësi për krejt! – përfundon Deklarata e nënshkruar nga përfaqësuesit e 51 OJQ-ve.

 

Komentet

Shto koment

Të ngjashme