Romani dyvëllimësh i Stefan Çapalikut u promovua në Prishtinë

Romani dyvëllimësh i Stefan Çapalikut u promovua në Prishtinë

15 dhjetor 2017 12:02

Prishtinë 14 dhjetor - Si dramaturg i zoti, autori në cilësinë e prozatorit vjen si narrator e personazh. Është pjesë e historisë që përmbledh jetën në kushtet e diktaturës. Zymtësia, në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, kishte lëshuar thellë rrënjë në Shkodrën e tij e në krejt Shqipërinë.

Stefan Çapaliku nëpërmjet romanit autobiografik “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” në dy vëllime sjell periudhën e monizmit shqiptar nëpërmjet ngjarjeve, situatave, dukurive e pamjes së asaj kohe. Pos kohëve të zymta fut edhe humorin që njerëzit bënin duke marrë shkas përditshmërinë. Ishte si një lloj mekanizmi mbrojtës, jo rrallë edhe për t’i bërë bisht çmendurisë.

Në promovimin e veprës, të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, studiues e shkrimtarë e kanë cilësuar atë si roman me peshë.

Studiuesi Ndue Ukaj ka thënë se “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është një libër prekës, që flet për kujtesën komuniste, një roman me nota autobiografike, i shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes, që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë: estetike dhe intelektuale.

Drejtuesi i shtëpisë botuese “Gjergj Fishta”, Frano Kulli, ka thënë se interesimi për veprën është i jashtëzakonshëm.

E vetë autori, Stefan Çapaliku - njëri ndër dramaturgët më të spikatur shqiptarë, fitues i çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, tregimtar, romancier, eseist e regjisor - ka thënë se tashmë zhvillohet jeta në një kohë kur njeriu çmendet lehtë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme