Kulturë

Marigona Qerkezi me rolin e Rosilandës në historinë e teatrit italian

Prishtinë, 15 dhjetor - Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi me rolin e saj të fundit ka hyrë në historinë e teatrit prestigjioz italian. Debutimi i saj në rolin e Rosalindës të mërkurën mbrëma ishte edhe njëherësh debutim i operetës së Straussit, “Die Fledermaus”, për “Teatro Petruzelli” në Bari të Italisë.

Emri i saj tash e tutje në këtë teatër do të lidhet me personazhin e një prej operetave më të njohura në botë. Kjo shfaqje është pritur mjaft mirë nga publiku, por edhe mediet italiane. Televizioni shtetëror RAI në edicionin qendror të lajmeve ia ka kushtuar një storie dyminutëshe vënies për herë të parë në skenë të kësaj operete, duke e cilësuar si një produksion të arrirë në të gjitha aspektet.

Një ditë pas premierës Qerkezi nëpërmjet telefonit i ka thënë gazetës se skena e “Teatro Petruzzelli” ka qenë e mbushur përplot. Ky është teatri më i madh i qytetit të Barit dhe i katërti në krejt Italinë. Ka kapacitet prej 1 mijë e 482 ulësesh.

Me rolin e Madama Corteses në operën “Il Viaggio a Reims” të Rossinit, Qerkezi në shtator debutoi në “Gran Teatre del Liceu” në Barcelonë, me interpretimin në shfaqjen operistike të realizuar nën regjinë e mjeshtrit Emilio Sagi. Për tri net radhazi ajo u ngjit në këtë skenë për të interpretuar në shfaqjen operistike me regji të Sagit, e nën dirigjimin e maestros Giacomo Sagripanti. Qerkezi që nga mosha 13-vjeçare si flautiste dhe këngëtare ka fituar shumë çmime nëpër gara ndërkombëtare të muzikës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

{gallery}