Kulturë

Eliza Hoxha hap ekspozitë personale me fotografi

Prishtinë, 14 dhjetor - “Kosova - gjaku ynë që nuk falet”, e shkruar mbi një letër të verdhë, dallohet midis turmës së njerëzve që protestojnë. Fotografia e shkrepur prej një vajze të re, që po dokumentonte një pjesë të rëndësishme të historisë, bie në sy midis disa të tjerave që po ashtu sjellin skena protestash.

Thirrje ka një varg, me pak ndryshime, nga poezia e Ali Podrimjes. Të tjerat reflektojnë momente sociale - fëmijët në oborre shkollash apo të rinjtë që pinë kafe në pjesën e njohur si “Te Santea”. Nuk janë përjashtuar as momentet e pasluftës, ku theksohet sidomos ballafaqimi me ushtarët e ardhur si shpëtimtarë. Ndjenjat ngazëlluese të të rinjve që mirëpresin çlirimtarët janë “ngrirë” në fotografitë e realizuara prej Eliza Hoxhës, e cila në opinion mbase më së paku mund të njihet si fotografe.

Nga arkivi ajo ka përzgjedhur rreth 40 fotografi të realizuara prej vitit 1994 deri më 1999 për t’i ekspozuar për të parën herë në një vend. Arkitektja e artistja e njohur kosovare - e cila muajin e kaluar është emëruar kuratore e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecie për vitin që vjen - e ka titulluar ekspozitën “Jepi mundësi paqes”.

Për të parën herë, të mërkurën, në “Hanin e 2 Robertëve” në Prishtinë, Hoxha i ka dhënë mundësi audiencës t’i shohë të përmbledhura fotografitë e digjitalizuara rishtas, e të cilat nuk kishin dalë në pah për 20 vjet.

Sylejman Kllokoqi, fotograf e kameraman, ka thënë se nëse një fotografi i ka një mijë fjalë brenda, fotografitë e shkrepura nga Hoxha i kanë nga dhjetë mijë sosh (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.