Kulturë

Arkivi i Marquezit, falas në dispozicion të publikut

Gati gjysma e arkivit të Gabriel Garcia Marquezit është vënë falas në dispozicion të publikut të gjerë.

Qendra “Harry Ransom Center” e Universitetit të Teksasit e ka nxjerrë atë online, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e DW. Universiteti ka thënë se e ka në plan t’i bëjë të qasshme në internet në anglisht e spanjisht të gjitha 27 mijë faqet e dorëshkrimet, fotografitë, letrat dhe librat e kujtimit të laureatit të çmimit “Nobel”. Siç ka shkruar “New York Times”, ky veprim është i pazakonshëm për shkak të faktit se vepra e Marquezit është ende nën mbrojtje të pronësisë intelektuale.

“Shpeshherë pronarët e pasurive të tilla e kanë një pikëvështrim më kufizues ndaj pronës intelektuale, duke besuar se përdorimi shkencor e kërcënon dhe zvogëlon interesin komercial”, ka thënë Steve Enniss, drejtor i “Harry Ransom Center” për “Times”. “Ne i jemi mirënjohës familjes së Gabos që e ka hapur këtë arkiv dhe e ka sjellë këtë vepër në një tjetër formë të shërbimit për lexuesit kudo që janë”, ka shtuar ai, duke përdorur një pseudonim të famshëm për Marquezin.

“Kolumbiani më i madh që ka jetuar ndonjëherë”, siç do ta përshkruante presidenti Juan Manuel Santos, me rastin e vdekjes më 2014, Marquezi u bë i famshëm ndërkombëtarisht për mjeshtërinë në veprat e realizmit magjik sidomos për romanet e tij “100 vjet vetmi” dhe “Dashuri në kohën e kolerës”.

Marquez nisi karrierën e shkrimit si gazetar dhe nuk kishte frikë të denonconte politikanët kolumbianë e ata të huaj. Një kritik i zjarrtë i kapitalizmit të shfrenuar, Marquez po ashtu kundërshtonte atë që ai e perceptonte si imperializëm rrënues nga ana e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pasi bëri një udhëtim për në ShBA më 1950 dhe u vendos në Mexico City, Marquezit më vonë iu ndalua të hynte në ShBA për tri dekada, siç raportohej, për shkak të lidhjeve të tij me Partinë Komuniste të Kolumbisë. Disi në mënyrë ironike, Marquezi ishte romancieri i preferuar i ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili njëherë e quajti atë “shkrimtari më i famshëm i fiksionit në cilëndo gjuhë, qysh prej vdekjes së William Faulkner”.

Për këtë arsye shumica ishin të befasuar kur “Harry Ransom Center” bleu arkivat e shkrimtarit për 2 milionë dollarë. Biblioteka e famshme po ashtu kishte blerë edhe arkivat e romancierit britanik Ian McEwan, sikurse edhe kolegëve të tjerë të Marquezit, fitues të çmimit “Nobel”, si J.M Coetzee dhe Kazuo Ishiguro. Tek ka pranuar çmimin në Stockholm të dielën, Ishiguro e ka theksuar rëndësinë e letërsisë në një botë të thyer, duke thënë se “të shkruarit dhe të lexuarit e mirë do të thyejnë barrierat”.