SHBA, një galeri shqiptare prezanton ekspozitën e re

SHBA, një galeri shqiptare prezanton ekspozitën e re

11 dhjetor 2017 21:36

Në mars të këtij viti galeria GR Art hapi dyert për herë të parë me një ekspozitë me fotografi të Marubit. Galeria e krijuar nga piktori shqiptaro-amerikan Gjergj Pali ka sjellë tani para artdashësit një ekspozitë të re me piktura e punime arti nga 11 autorë. Organizatori Gergj Pali ka zgjedhur një koleksion veprash të artit figurativ që përfaqësojnë mediume, stile dhe botëkuptime të larmishme.

Në dukje të ndryshme si në stil, ashtu edhe në medium, punimet janë zgjedhur për t’u përputhur me temën e ekspozitës, Imazhe të Strukturuara dhe Më Shumë. Ideja i lindi organizatorit Gjergj Pali, pasi filloi të përzgjidhte mes punimeve të paraqitura për ekspozim:

“Ishte në përgjithësi një veçori ku imazhi kalon nga dimensioni i dytë në dimensionin e tretë, bëhet tri-dimensional. Dhe jeton në mes të pikturës, gati është si skulpturë e pikturuar”, raporton VOA.

Në disa raste struktura nuk është një element fizik i veprës, por qëndron në metaforën që përcjell ajo. Piktori Adriatik Baliaj prezantohet në ekspozitë me dy vepra:

“Bora e ndryshon strukturën e një vendi; në qoftë se është i errët, ndryshon ngjyrën, por ndryshon edhe formën. Poetikisht po të shihet është pak si strukturë”.

Gazmend Bakalli e gjen frymëzimin tek ritet dhe elementët etnografikë të qytetit të lindjes:

“Kjo është nusja shkodrane, kjo është e bazuar kryesisht në historinë e Shkodrës, se si kanë ndenjur nuset e vjetra në Shkodër. Struktura është e bazuar kryesisht edhe në materialin e kostumeve të vjetra, pak a shumë edhe shtëpitë e vjetra të Shkodrës kanë atë strukturën e tyre që na janë futur në gjak. Të gjitha ato me dashje apo pa dashje të futen në pikturën tënde dhe pasqyrohen këtu në pikturë”.

Piktori Gjergj Pali ka zgjedhur të hyjë në strukturën e kujtesës me një prej veprave të tij nga cikli i Zonave të Memories, me një pejsazh nga shkolla fillore që i kujton fëmijëri, por qëndron edhe si paralelizëm i jetës së tij:

“Është e braktisur… se ne e braktisëm vendin. Dashuria mbetet, patjetër që herë pas here fillon e del në memorie, patjetër me pemët, me sorrat, është më shumë edhe si një ëndërr pak… mes realitetit edhe ëndrrës”.

Historiani i artit Zef Paci ka bashkëpunuar më parë me pronarin e galerisë për të organizuar ekspozitën Marubi. Ndryshe nga ajo ekspozitë që prezantonte vetëm artin e fotografisë, këtë radhë ai sheh një pasuri stilesh, teknikash e përmbajtjesh, që në një mënyrë është sintezë edhe e vetë përvojës amerikane, shprehet ai:

“Është një mjedis i cili pret prurje, botëkuptime e kultura të ndryshme, ndoshta si një similitudë me vendin”.

Në këtë larmi stilesh, veprat e piktorëve shqiptaro-amerikanë kanë identitetin e tyre artistik:

“Ne kemi veçoritë tona. Dallohet piktura jonë me pikturën e një personi që ka lindur këtu, është formuar në shkollë. Vërehet se ne jemi më figurativë për arsye se shkolla që kemi bërë, dhe tendenca ka qenë drejt artit të artit të realizmit socialist në atë periudhë, e cila ka ndikuar në formimin e pikturës klasike, e pikturës së modelit tjetër”, thotë piktori Gjergj Pali.

“Ato që ke njohur, ke mësuar, që ke ditur prej atje, në bashkëpunim me këto krijojnë një gjendje të re që është më ndryshe më interesante, më frymëzuese për punë të tjera”, shprehet piktori Adriatik Baliaj.

Këta autorë kanë tani një adresë të rregullt ku të prezantohen me artdashësin, si dhe një qendër ku të ruhet e kultivohet kultura shqiptare në këtë pjesë të Amerikës.

“Shqiptarët vijnë dhe ‘uau’ hapet gjithë ky dimension, një ekspozitë e bërë profesionalisht”, thotë pronari i ekspozitës, Gjergj Pali.

Një rrugë e gjatë sakrificash e peripecish i është dashur autorit Gjergj Pali për të ardhur deri këtu, por destinacioni për të meriton çdo sakrificë:

“Nuk ka profesion më të bukur. Profesion i vështirë, patjetër, por u them gjithmonë këtyre shokve, me m’pru edhe një herë në jetë prapë dua të jem artist… Ndoshta në Shkodër, ndoshta edhe këtu, po profesioni ka më rëndësi për mua, se ku, nuk dua t’ia di”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme