“The Square”, filmi surreal, i frikshëm dhe ndonjëherë i vështirë për t’u shikuar në botën bashkëkohore të artit për shkak të satirës së tij, ka dominuar edicionin e 30-të të “European Film Academy”.
Filmi kishte marrë “Palme d’Or” në festivalin e Cannes që i parapriu gjashtë çmime në Berlin, çmime evropiane që synojnë të jenë ekuivalente me “Oscars”. Suksesi për Britaninë në këtë mbrëmje ishte çmimi për dramën e errët që zë vend në shekullin XIX, “Lady Macbeth”, që u shpërblye me çmimin për “European Discovery”.
Stephen Frears, i ka kërkuar falje audiencës kur ka prezantuar çmimin për regjisorin William Oldroyd.
“Vij nga një shtet aq budalla saqë duam të largohemi nga Evropa”, ka thënë ai. “Kërkoj falje për problemet që i kemi shkaktuar”, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e The Guaridan.
Problemet e Evropës, qofshin ato me Brexitin apo ngritjen e nacionalizmit, ishin tema periodike për folësit në ceremoni, sikurse edhe skandali i vazhdueshëm për ngacmimet seksuale në industrinë e filmit. Por pati edhe momente argëtuese. Filmbërësi suedez Ruben Östlund, dy herë e bëri publikun të qesh, teksa pranoi çmimet për regjinë më të mirë dhe filmin më të mirë, për filmin “The Sqaure”.
Aktorja dhe regjisorja franceze Julie Delpy, mori çmimin për arritje evropiane në kinemanë botërore, çmim ky i cili më parë ishte fituar nga aktorë dhe filmbërës të njohur si Helen Mirren, Isabelle Huppert, Lars von Trier dhe Steve McQueen.
Gjashtë çmimet e rrëmbyera nga “The Square”, ishin për filmin më të mirë, komedinë më të mirë, regjinë më të mirë, skenarin më të mirë, për dizajnin e produksionit dhe aktorin më të mirë për Dane Claes Bang, i cili portretizon një drejtor me stil i një galerie, por edhe i çuditshëm.
Kritiku i “The Guardian”, Peter Bradshaw, këtë film e ka cilësuar “satirë zvarritëse dhe me guxim surreal”.
Filmi rus “Loveless” fitoi dy çmime, për kinematografinë dhe muzikën më të mirë, dhe aktorja hungareze Alexandra Borbely fitoi çmimin si aktorja më e mirë për portretizimin që i bën një punëtores në thertore dhe aferës së saj të pazakontë me shefin në “On Body and Soul”.
Çmime të tjera përfshijnë dokumentarin më të mirë, që iu nda filmit polak “Communion” dhe animacioni më i mirë për “Loving Vincent”, film i realizuar nga çifti polako-britanik, Dorota Kobiela dhe Hugh Welchman.
“European Film Awards” ishte themeluar në Berlin në vitin 1988 si një shtëpi artistike alternative ndaj “Oscars”, me filmin “A Short Film About Killing” të Krzysztof Kieślowski, i cili ishte i pari që mori çmimin për filmin më të mirë.
Presidenti i “European Film Academy”, Wim Wenders, ka mbajtur një fjalim prekës ku ka kujtuar vitet ’80, periudhën e vështirë për filmbërësit në Evropën e ndarë që shpesh dukej si luftimi i vetëm në beteja.
Evropa ka ecur përpara që nga ajo kohë, por ai ishte i acaruar në mbrëmjen e ceremonisë për shkak të “një monstrumi të vjetër të cilin kemi menduar se e kemi varrosur, i quajtur nacionalizëm...sëmundja më e vjetër dhe më e keqja e Evropës. Si mund të zhvarroset nga kohët e tashme?”.
“Lakmi dhe rritje. Evropa është ndërtuar në mure më të mira, më solide sesa paratë. Është e ndërtuar mbi ide të madhërishme mbi atë se kush jemi si njerëz, kush jemi si shoqëri dhe qenie kulturore. A po luftojmë mjaftueshëm për këto ideale? A kemi? A do të?”, ka thënë Wenders. Kishte, po ashtu, edhe thirrje të shumta për lirimin nga burgu rus i filmbërësit ukrainas Oleg Sentsov. Një letër mbështetëse nga artisti kinez Ai Weiwei, u lexua, i cili ishte i pranishëm në audiencë.
-
11 dhjetor 2017 14:00
-
Shpërndaje në: