Kulturë

Ndahet nga jeta historiani Kristaq Prifti, anëtar i Akademisë së Shkencave

Descriptive Text

Ndahet nga jeta akademiku i njohur Kristaq Prifti. Historiani i njohur dhe specialisti i periudhës së Rilindjes Kombëtare u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Ai gjeti vdekjen gjatë ditës së djeshme, më 9 dhjetor, për shkak të komplikimeve shëndetësore prej moshës.

Prof. Dr. Kristaq Prifti ka qenë pedagog i shumë brezave dhe dekan i Fakultetit të Histori-Filologjisë, e më pas Drejtor i Institutit të Historisë.

Osmanolog dhe studiues i njohur i historisë së Shqipërisë për Rilindjen Kombëtare, veçanërisht një nga njohësit dhe studiuesit më në zë të Historisë së Kosovës.

I ndjeri Kristaq Prifti u lind në Berat më 21 janar 1932, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studimet e larta në fushën e historiografisë i përfundoi në Moskë. Pas kthimit në atdhe punoi si mësimdhënës në Universitetit të Tiranës. Ishte një prej profesorëve themelues të këtij Universiteti, ku kreu disa detyra, si përgjegjës i katedrës së historisë, zëvendësdekan dhe dekan. Që nga viti 1982 ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Historisë dhe në vitet 1991-1993 drejtor i tij. Përveç mësimdhënies në UT, Kristaq Prifti ka mbajtur ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.