Kulturë

Prishtina, me qendër dokumentuese për krimet e luftës

Prishtinë, 17 mars – Përmes fotografive, videove e audioincizimeve do të rrëfehet një pjesë e historisë së Kosovës. Materiale të marra kryesisht nga Tribunali i Hagës dhe të tjera që vënë në pah të vërtetat e plota mbi luftën e fundit në Kosovë do të jenë pjesë e ekspozitës së përhershme, e cila do të zërë vend në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sulejmani”.

Bodrumi i këtij objekti do të shërbejë si qendër dokumentuese, ku, përveç aspektit vizual, do të ketë edhe materiale të tjera me dëshmi për ta kompletuar një pjesë të historisë. Projekti për ekspozitën e përhershme të dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë u konkretizua të enjten. Përmes një memorandumi të nënshkruar në mes të Komunës së Prishtinës, Fondit për të Drejta Humanitare dhe Ambasadës Zvicerane, të gjithë qytetarëve do t’u ofrohet një qendër ku mund t’i kuptojnë të vërtetat e plota për ngjarje të luftës. Qendra e iniciuar nga ish-drejtoresha e Kulturës e Komunës së Prishtinës, Saranda Bogujevci, në bashkëpunim me FDH-në, pritet të hapet në fund të muajit gusht.

Blerim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit ka thënë se ideja për të ndërmarrë një hap të tillë ka qenë e kamotshme, por është vonuar për shkak të mungesës së hapësirës. Tani që Komuna e Prishtinës i ka mundësuar të shfrytëzojë objektin e bibliotekës, FDH-ja do të udhëheqë qendrën për një kohë, për t’ia lënë më pas menaxhimin Komunës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.