Kulturë

“Monet” dëshmon lidhjen midis artit dhe publikut

Descriptive Text

Prishtinë, 8 dhjetor - Veprat artistike përbëjnë mozaikun që vjen përpara vizitorëve e artdashësve në fundvit. Pikturat, grafikët, qeramikat, e punimet në teknika të përziera zënë vend në hapësirat e galerisë “Monet”. Ceremonia e hapjes, mbrëmjen e së enjtes, ka qenë introja e një oferte të dyfishtë: për vizitorët, të cilët me çmime tejet të volitshme janë bërë pronarë të veprave të artit, dhe për artistët që u është ofruar mundësia të shesin art. Mbi të gjitha, ka dëshmuar lidhjen midis artit dhe publikut.

Punimet e më shumë se 20 artistëve kanë mbushur krejtësisht muret e galerisë, e jo pak prej tyre janë shitur ende pa nisur ngjarja. Ekspozita shitëse del të jetë më alternativja në kryeqytet edhe sa u përket çmimeve, jo më shumë se 99 euro për një punim, edhe për shkak të laramanisë që ofron. Punimet me të cilat shquhet stili i Zake Prelvukajt, pikturat që portretizojnë femrat të Mjellma Gorancit, qeramikat e Blerta Surroit, loja me ngjyra të zbehta të Eshref Qahilit, ato që janë midis reales dhe abstraktes të Arlinda Hajrullahut, janë vetëm një pjesë e paletës shumëngjyrëshe në galerinë “Monet” që sjell një ekspozitë të veçantë.

Bashkëthemeluesja e “Monetit”, Blerta Surroi,tha se “Interesimi është duke shkuar përtej pritshmërive tona. Qysh para hapjes veprat kanë filluar të shiten. E kur artistëve u kumtohet lajmi se u janë shitur punimet, ky është një motiv për ta”, ka thënë Surroi pas inaugurimit të ekspozitës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.