Sonte në “Monet” ekspozitë për dhurata

Sonte në “Monet” ekspozitë për dhurata

07 dhjetor 2017 09:10

Prishtinë, 7 tetor - Midis ekspozitës shitëse e panairit të pikturës, galeria “Monet” ka përgatitur një ofertë të re për artdashësit. Tashmë e njohur si një hapësirë alternative arti në qendër të kryeqytetit, “Monet”, që shërben edhe si kafene e librari, i ka sjellë Prishtinës një frymë të re në raport me ata që duan të blejnë vepra arti. Pas ngjarjeve të njëpasnjëshme, galeria sonte (e enjte) do të hapë një ekspozitë të veçantë si koncept dhe si ofertë për fundvit.

Veprat e disa prej artistëve më eminentë të Kosovës, por dhe të Shqipërisë, do të jenë në dispozicion të blerësve me çmim maksimal prej 99 eurosh. Mbi 20 artistë janë bërë bashkë rreth idesë që t’i ofrojnë qytetarët me artin pamor. Emra si Zake Prelvukaj, Blerta Surroi, Eshref Qahili, Lyra Zajmi, Rron Qena, Veli Blakçori e të tjerë do të ekspozojnë punimet e tyre në ambientet e galerisë, e hapur në prill të këtij viti si një hapësirë unike për artin dhe librin.

Bashkëthemeluesja e “Monetit”, Blerta Surroi, ka thënë se pas programit vjetor është menduar që për fundvit të sjellin diçka më interesante. “Morëm iniciativën që të kemi një ekspozitë shitëse apo panair të pikturës, ku vlera më e lartë e shitjes është 99 euro. Ideja është që qytetarët të jenë afër artit”, ka thënë ajo. Piktorja e aktorja ka thënë se ekspozita është menduar si mundësi e mirë që qytetarët, pos që të blejnë, të kenë mundësi që nëpërmjet kësaj ngjarjeje t’ia bëjnë dikujt dhuratë një vepër arti. Edhe pllakati reklamues është dizajnuar në këtë frymë, me fjongon e kuqe të dhuratave (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme