Kulturë

Ministria në kërkim të laureatëve të çmimeve për trashëgimi kulturore

Për të dytën herë me radhë, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit do t’i ndajë çmimet që i ka prezantuar si vazhdimësi të përpjekjeve për t’i shtuar mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Deri më 31 dhjetor të këtij muaji është afati për t’iu përgjigjur konkursit për çmimet e këtij institucioni në fushën e trashëgimisë kulturore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njësoj sikurse vitin e kaluar, kur u themeluan këto çmime, edhe sivjet do të ndahen katër çmime, përfshirë atë për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore, “Dea Dardanicae”, çmimet vjetore sikurse ai për merita të veçanta, “Shtjefën Gjeqovi”, për vepër shkencore, “Zef Mirdita” dhe çmimin vjetor për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu”.

Konkurrimi për këto çmime mund të bëhet nëpërmjet propozimit nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (tri të parat), sikurse edhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore, institutet shkencore, arkivat, muzetë, fakultetet e universiteteve publike e private, shoqatat e organizatat që merren me trashëgiminë kulturore, personat fizikë e juridikë.

Çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore janë themeluar në shtator të vitit 2016, ndërsa janë ndarë tek në prill të këtij viti, në parkun arkeologjik “Ulpiana”. Fituesi i “Dea Dardanicae” shpërblehet me 5 mijë euro, ai i çmimeve “Shtjefën Gjeçovi” e “Zef Mirdita” me 2 mijë e 500 dhe “Muhamed Shukriu” me 2 mijë euro... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.