“Përmbyllje” në lojë me përditshmërinë merr “Artistët e së nesërmes”

“Përmbyllje” në lojë me përditshmërinë merr “Artistët e së nesërmes”

05 dhjetor 2017 09:45

Duke e vlerësuar si instalacion ambicioz dhe për mënyrën precize të shfrytëzimit të hapësirës që ka përdorur artisti, ashtu sikurse edhe për qasjen e tij, Meriton Maloku ka marrë çmimin “Artistët e së nesërmes”.

Një dhomë të vogël e ka shndërruar në një hapësirë gati klaustrofobike, brenda së cilës thur disa mediume në të cilat punon, shkruan sot “Koha Ditore”. Fotografi, piktura, vizatime e litografi ishin bërë pjesë e instalacionit të tij që e ka quajtur “Përmbyllje”, e prezantuar në ish-objektin e klubit të boksit “Prishtina”, ku të hënën mbrëma është shpallur fituesi.

Jashtë saj ai kishte vendosur portretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në këtë formë ai ka arritur që një kontekst politik ta kthejë në përditshmëri, duke u dhënë mundësi vizitorëve që të futen brenda krijimit të tij për ta përjetuar.

Maloku, i cili jeton në Antwerp të Belgjikës, gjatë muajve prill dhe maj do të bëhet pjesë e një rezidence dymujore në New York, ku edhe do të ketë mundësinë që të zhvillojë një vepër të re, të cilën më pas do ta shpalosë në qendrën për art bashkëkohor “Stacion”.

Kjo qendër, e cila për të dytin vit me radhë organizon këtë çmim, ka vendosur që çmimin “Artistët e së nesërmes” ta mbajë çdo vit, ndryshe prej viteve të kaluara që organizohej ne bienali dhe për 14 edicione qe organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Për fituesin ka vendosur juria në përbërje të drejtorit të muzeut “Van Abbemuseum” në Eindhoven të Holandës, studiueses dhe drejtoreshës së “Oral History Kosovo” Erëmirë Krasniqi, kritikes së artit e kuratores, Natasha Petreshin-Bachelez, artistit dhe edukatorit të artit Adrian Deva dhe drejtorit ekzekutiv të organizatës “Independent Curators International” në New York, Renaud Proch.

Çmimi “Artistët e së nesërmes” është një projekt që u ofron artistëve të rinj në fushën e arteve pamore nën moshën 35-vjeçare mundësinë e krijimit të veprave të reja artistike... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme