Kulturë

Kodiku i Purpurt i Beratit në Librarinë e Kongresit amerikan

Kodiku i Purpurt i Beratit i cili përbën një nga objektet më me vlerë të periudhës Mesjetare që ka trashëguar Shqipëria, tashmë do të gjendet edhe në Librarinë e Kongresit amerikan.

Në kuadër të 105-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Forcave të Armatosura Qeveria shqiptare i dhuroi një kopje online të Kodikëve të Purpurt të Beratit, të cilët janë tashmë pjesë e Librarisë Botërore Dixhitale, Librarisë së Kongresit amerikan, bën të ditur ATSH.

Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, bashkëdrejtuesve të Grupeve të Miqësisë, Senatori Gary Peters dhe Kongresmeni Eliot Engel, Po ashtu ishte i pranishëm edhe zv.Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt B. Yee.

Aktiviteti u hap me Himnin Kombëtarë shqiptar dhe atë amerikan, të kënduara me shumë profesionalizëm nga soprano Lindita Lole-Mezini.

Gjatë diskutimeve të mbajtura u vu theksi tek marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, u evidentua se mes dy vendeve ka një bashkërendim të interesave, këndvështrime të njëjta për çështjet e sigurisë, si edhe vlera të përbashkëta.

Prania e miqve të Shqipërisë nga Libraria e Kongresit dhe veçanërisht Albanian Corner, bënë pjesë të festës dhe një numër veprash që pasqyrojnë historinë e Shqipërisë, të botuara disa shekuj më parë.

Kodiku i Purpurt i Beratit” është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin “Memoire du Monde” (“Kujtesa e Botës”) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të Unesco-s.

Në vitin 1971 u restaurua në Akademinë e Shkencave të Republikës Popullore të Kinës dhe pasi u kthye prej andej, u depozitua në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ku ruhet edhe sot.

“Kodiku i Purpurt i Beratit” ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij : sipas Markut dhe sipas Matheut. Eshtë shkruar me germa të derdhura prej argjendi, sipas vlerësimit të ekspertëve, “në fletë të ngjashme me letrën e zakonshme, që ka të ngjarë të jetë prodhuar nga ngjeshja e shumë elementeve petëzorë me natyrë bimore, siç janë fletët e papirusit”. Por bizantologët mendojnë se lënda e dorëshkrimit është pergamenë.

Image

Sfondi mbi të cilin janë derdhur germat është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Ngjyra, me kalimin e shekujve, është zbehur. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Germat e aplikuara janë kapitale të vogla (majuscule). Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, por duhet të jetë disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra.

Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve. Ai është vendosur në një sfond që përmban zemra të stilizuara. Në brendësi të zemrave që zbukurojnë fletën gjenden motive floreale – trandafila tripetalesh (lilan).

Dekoracionet gjenden në kufijtë e dy vijave paralele vertikale, që kthehen në kënd të drejtë horizontalisht. Vija vertikale interpretohet si tentim i hyjnores, kurse vija horizontale si shenjëzim i fatit vdekëtar-kalimtar të njeriut. Bibliologët mendojnë se ky motiv, që rimerret edhe në dorëshkrimet e mëvonshme biblike, liturgjike ose agjiografike (nga gr. i shenjtë) që janë ruajtur në Shqipëri, paraqet ekuilibrin shpirtëror të individit.