“Deuscthland” me satirë për të kaluarën e të tashmen e Gjermanisë

“Deuscthland” me satirë për të kaluarën e të tashmen e Gjermanisë

04 dhjetor 2017 15:00

Kontrollet e sigurisë kanë zënë vend në ambientet e “NRW – Forum” në Dusseldorf, ku është ekspozuar puna e Jan Böhmermann.

Ekspozita e titulluar “Deuscthland” (emri Gjermani, i shqiptuar qëllimshëm gabimisht), është e qartë se paraqet rrezik dhe madje edhe gazetarët e ftuar për ta vizituar ekspozitën duhen të rreshtohen – gratë nga e djathta, burrat nga e majta- për t’iu nënshtruar kontrolleve në trup. Edhe vetë këto kontrolle janë thuajse pjesë e ekspozitës së Böhmermann: edhe ato reflektojnë se sa shumë dinamit është paketuar nën emrin e artisti.

Masat speciale të sigurisë kanë qenë të nevojshme për ta mbrojtur satiristin e nikoqirin televiziv qysh prej marsit të vitit 2016, kur ai recitoi një poemë, në televizionin shtetëror, që nënkuptonte se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ishte përfshirë në raporte intime me dhitë, kishte shikuar pornografi sa ishte fëmijë dhe i kishte ngacmuar vajzat e reja. Kjo poezi shkaktoi edhe tensione ndërmjet Turqisë e Gjermanisë, pasi që Erdogani e paditi Böhmermannin, dhe komediani gati se nuk u akuzua nën ligjet gjermane. Stuhia mediatike që pasoi i dha arsye të mëdha Böhmermannit ta distanconte veten nga gazetarët. Komediani, 36-vjeçar rrallëherë jepte intervista dhe ai nuk mori pjesë në hapjen e ekspozitës së tij në Dusseldorf.

E ata që ia dalin t’i kalojnë kontrollet e sigurisë do të konfrontohen edhe me një tjetër kontroll, kur duhet t’i tregojnë pasaportat e tyre. Qytetarët gjermanë e marrin nga një stiker ngjyrë rozë: të huajt nga një të verdhë. Është e qartë se këto janë referencë për historinë e Gjermanisë dhe Holokaustin, dhe një indikacion për punën e Böhmermann gjatë vitit 2017. Ekspozita e tij trajton të kaluarën dhe të tashmen e Gjermanisë, sikurse edhe populizmin e nacionalizmin dhe atë se si duhet përballur me historinë e këtij vendi. Komediani, po ashtu, ngacmon kancelaren gjermane, Angela Merkel, përfshirë edhe shakatë që bën për veshjet e saja sportive.

Në ekspozitë Böhmermann ka përdorur objektet e përditshme për të krijuar instalacione të mprehta. Në një vepër të quajtur “Hetztkeks-Automat”, vizitorët mund ta vendosin në automat një euro dhe të marrin një ëmbëlsirë të mbuluar me letër ngjyrë ari, që përmban edhe një fletë letre me një thënie të urrejtjes, të shtypur mbi të. Mund të qëllojë të thotë diçka si “jeni shumë budalla, madje edhe për t’u ulur në guaskën e tualetit”. Makina e ëmbëlsirave është përdorur për të na ngulitur në kokë neve atë se sa shumë komente të urrejtjes që publikohen në internet janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Por vepra e ekspozuar nuk ia del t’i befasojë në të vërtetë vizitorët, apo të nxisë reflektime të reja.

Vepra më goditëse e ekspozitës është “Reichspark”, një model në miniaturë i një parku argëtues që i dedikohet nacional-socializmit. Një shëtitje gjashtë minutëshe nëpër një realitet virtual brenda bunkerit të Hitlerit, beteja e Stalingradit e parodizon glorifikimin e nacional-socializmit nga neonazistët. Po ashtu, na paralajmërojnë që të mos harrojmë të kaluarën.

Me satirë mjeshtërore, vepra na nxit të pyesim vetveten: çfarë mund të na shokojë ende në periudhën e Trumpit, Brexitit dhe alternativave të partive gjermane për Parlament?

“Një vepër si ‘Reichspark’ sigurisht që përmban shumë potencial për provokim”, ka thënë Alain Bieber, drejtor artistik e menaxher në “NRW-Forum”. Sidoqoftë, nuk ka të bëjë me nxitjen e provokimit të njerëzve apo krijimin e skandaleve.

“Më shumë ka të bëjë me shtrimin e pyetjeve të duhura në kohën e duhur”, ka thënë ai. Kjo ekspozitë nuk është revolucion, por definitivisht është satirë. Bieber beson që ajo që ka bërë Böhermann dhe ekipi i tij për këtë ekspozitë është art.

“Njerëzit mund të debatojnë se a është art i mirë apo i keq”, ka shtuar ai. Ekspozita është një shqyrtim satirik i vitit të kaluar, duke eksploruar rrethanat e sotme, ankesat e absurditetet. Asgjë më tepër, as më pak. Por një gjë është e sigurt: në programet e transmetimet televizive të tija Böhmermann është i aftë të përcjellë tema të kohës sonë, tek një audiencë e gjerë. Vetëm koha do të tregojë nëse ai do të jetë i suksesshëm edhe me ekspozitat në muze. Po ashtu, varet se sa njerëz do t’ia dalin t’i përballojnë kontrollet e sigurisë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 shkurt të vitit që vjen.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme