Monumentet e trashëgimisë në Shqipëri, në rrezik nga reshjet

Monumentet e trashëgimisë në Shqipëri, në rrezik nga reshjet

04 dhjetor 2017 12:00

Monumentet e trashëgimisë kulturore në qytete të ndryshme të Shqipërisë janë në rrezik nga përmbytjet për shkak të reshjeve të shumta atmosferike. Monumente në Durrës, Vlorë, Fier e Korçë, siç është raportuar në mediet shqiptare, janë mbushur me ujë dhe uji prej tyre të dielën është nxjerrë me pompë, transmeton “Koha Ditore”.

Ekipe të shumta kanë dalë nëpër vende të ngjarjes duke u munduar që të shpëtojnë këto monumente nga vërshimet. Një prej objekteve ku janë ndërmarrë masa është Kisha e Kryeengjëjve Mihal e Gabriel në Voskopojë.

Ministria e Kulturës në Shqipëri, përmes një materiali të detajuar, ka raportuar për monumentet që janë të rrezikuara nga jugu në veri. Deri të dielën pasdite nga raportimet periodike nuk ka pasur emergjenca në objektet e trashëgimisë, por situata të kontrollueshme në disa pika ku janë paraqitur probleme për shkak të përmbytjeve dhe reshjeve masive.

Në një njoftim të lëshuar nga Ministria është thënë se është duke u monitoruar me kujdes “Ura e Golikut”, e cila është nga më të rrezikuarat. Një grup pune po inspekton dhe monitoron objektin. Në qarkun e Durrësit paraqiten problematika për dy monumente: Kisha e Gjon Pagëzorit në Derven të Krujës dhe “Forumi Bizantin” (Macellum Forum). Ndërsa në Durrës për shkak të reshjeve ka pasur rrëshqitje të dherave dhe disa gurëve të mbushjes së trotuarit.

Sipas MK-së, janë marrë masat e menjëhershme për sistemimin dhe përforcimin e skarpatës nga punonjësit.

“Gazeta shqiptare” të dielën ka raportuar për gjendjen e monumenteve në disa qytete të Shqipërisë.

“Në qarkun e Fierit, sipas Ministrisë së Kulturës, paraqiten problematika. Kisha e Shën Kollit në Vanaj paraqet probleme në çatinë e saj, pasi nga shirat e tepërt rrezikon. Të njëjtin problem me çatinë ka edhe Kisha e Shën Gjergjit në Libofshë, sikundër edhe Kisha e Shën Marisë në Bishtqethëm. Ndërkaq Kisha e Shën Gjergjit në Suk Strum rrezikon pasi ndodhet në fushë. Drejtoria Rajonale e Korçës po monitoron urën e Golikut, e cila është nga më të rrezikuarat, ndërsa në Kishën e Shën Gjergjit në Shipskë ka pasur lëvizje të rasave”, ka shkruar “Gazeta shqiptare”.

Sipas kësaj të përditshmeje, inspektimet janë bërë edhe në qytetin e Vlorës. Përveç dëmtimeve të vogla në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë dhe përmbytjes së oborrit, aty thuhet se falë intervenimeve rreziku është mënjanuar. E njëjta vlen edhe për Shkodrën.

“Në Shkodër nuk shfaqen problematika në objektet e trashëgimisë për shkak të motit të keq. Pas inspektimit të bërë në objektet me risk më të madh situata paraqitet normale. Në Xhaminë e Plumbit ka pak ujëra, por ato vijnë si rezultat i ujërave nëntokësore pasi xhamia është nën nivelin e lumenjve Kir dhe Drin. Në kishën ‘Shirgjit’ situata paraqitet normale po ashtu edhe tek ura e Mesit prurjet e lumit Kir nuk janë intensive”, ka shkruar “Gazeta shqiptare”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme