Jimi Hendrix - muzikanti i një bote tjetër

Jimi Hendrix - muzikanti i një bote tjetër

03 dhjetor 2017 21:00

I lindur më 27 nëntor, të vitit 1942, nga e ëma 17-vjeçare dhe i ati që ishte pjesë e ushtrisë, Jimi Hendrix ishte rritur në varfëri nga të afërmit.

I përjashtuar nga shkolla sa ishte adoleshent, ai më vonë u zu edhe duke vjedhur vetura. Si ndëshkim për këtë, iu desh të zgjidhte ndërmjet punës dhe ushtrisë. E zgjodhi këtë të fundit, por u largua prej aty pas një viti të shërbimit ushtarak.

Publikisht, Hendrix kishte thënë se ishte lejuar të dilte prej ushtrisë pasi kishte thyer këmbën: por në të vërtetë, ushtari rebel i qe shmangur shërbimit në Vietnam pasi që i kishte thënë një doktori që kishte rënë në dashuri me një ushtar tjetër, shkruan “Deutsche Welle”, transmeton “Koha Ditore”. Megjithatë, hiti i parë i Hendrixit, “Foxy Lady”, e dëshmoi dashurinë e tij për gratë – kitaristi po ashtu kishte pasur aferë dashurie me perëndeshën e ekranit, francezen, Brigitte Bardot.

Ka shumë rrëfime sa i përket instrumentit të parë të Jimit: një thotë që ishte një ukulele me një tel, dikush thotë se kishte një shkop që e shfrytëzonte vetëm për pjesët e ashpra solo me kitarë, apo edhe të tjerë thoshin se ishte thjesht një kitarë e imagjinuar. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: ai ishte mjeshtër i kitarës qysh në moshë të re.

Djaloshi kishte shëtitur në disa vende pasi e braktisi ushtrinë, duke luajtur kitarë vetëm apo edhe me bende. Shumë shpejt, nisi të bëjë turne nëpër Shtetet e Bashkuara të Amerikës me “Little Richard” dhe “Isley Brothers”. Ai më në fund nisi të bëjë para, por në aspektin muzikor ishte shumë i frustruar dhe i papërmbushur.

Hendrix, i cili asokohe ende paraqitej me emrin Jimmy James, e arriti kontratën e parë për incizime më 1965, me të cilën i garantoheshin performancat nëpër klubet në New York. Ai kishte një bend, nisi të eksperimentojë me LSD, dhe ia dilte ta krijojë tingullin e një teli kitareje, thjesht duke e prekur atë. Kitaristi majtak ia doli mbanë me teknika krejtësisht të reja të interpretimit me kitarë: ai mund të tingëllonte si dy interpretues të kitarës. Jimi, shpikjet e tija muzikore i quajti “Electric Church” (kisha elektrike).

Basisti Chass Chandler, e dëgjoi Hendrixin duke luajtur muzikë dhe e ndjeu se Amerika nuk ishte gati për tingullin e tij unik, prandaj e dërgoi në Londër.

“Ne të gjithë kemi mësuar prej tij”, ka thënë Eric Clapton për Hendrixin në moshë të re. Bashkë me Noel Redding dhe Mitch Mitchell, burri i veshur me ngjyra ekzotike dhe me kitarën e bardhë e themeloi një bend të ri, “Jimi Hendrix Experience”- që shumë shpejt u bë i përfolur në skenën muzikore britanike. Koha ishte perfekte. “The Beatles” veç sa kishin ndaluar performancat dhe skena ishte e lirë për një revolucion të ri muzikor... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme