Del Himni i panjohur i Flamurit, që e shkroi Eqrem Çabej

Del Himni i panjohur i Flamurit, që e shkroi Eqrem Çabej

30 nëntor 2017 10:04

Po ndajmë këtu me ju sot këtë “Himn të Flamurit” të panjohur, shkruar nga Eqrem Çabej më 1937, për ta paraqitur në konkursin e shpallur nga shteti shqiptar “për një himn të ri me frymë thjesht shqiptare”, shkruan Gazeta shqiptare.

Çabej e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur mori vesh se në të merrnin pjesë personalitete të cilët i nderonte e i çmonte lart e me të cilët nuk e quante veten të denjë të matej, bën me dije Shtëpia Botuese “Çabej”, që drejtohet nga e bija e dijetarit, Brikena.

Eqrem Çabej

HIMNI I FLAMURIT

Buzë valësh që rreh deti

Përmbi shkrepe mijvjeçare

Përmbi mal ku sundon shqipja

Edhe rrit gjini krenare,

Ku jep burri besa-besën

E ku vdes si vdiq qëmotit,

Po valon e lëshon hije

Flamuri i Kastriotit.

Ku rreh ti, atje po rrahin

Gjithë zemrat e bujarvet,

Ku valon, atje valon dhe

Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,

Atje lidhet besa e Zotit

Për liri dhe për Atdhe!

Se Shqipnia asht’ e jona!

Për at gjak e për kët dhe!

Te kështjell’ e bardh’ e Krujës

Rreth e qark e mbi bedena

U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit

Rreth Shqiponjës me dy Krena.

U droth toka fort e vjetër

Kur i ranë kaq dëshmorë

Rreth flamurit të përgjakun

Si dhandurë me kunorë.

Ku rreh ti, atje po rrahin

Gjithë zemrat e bujarvet,

Ku valon, atje valon dhe

Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,

Atje lidhet besa e Zotit

Për liri dhe për Atdhe!

Se Shqipnia asht’ e jona!

Për at gjak e për kët dhe!

Ju Shqiptarë djemt e shqipes

Mos harroni se kush jemi.

Këtë flamur kurr të thyem,

Këtë gjak në dej që kemi,

Këtë truell që na dha Zoti,

Bani be se do t’i mbroni,

Dhe sa jet nji frym’e gjallë

Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.

Ku rreh ti, atje po rrahin

Gjithë zemrat e bujarvet,

Ku valon, atje valon dhe

Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,

Atje lidhet besa e Zotit

Për liri dhe për Atdhe!

Se Shqipnia asht’ e jona!

Për at gjak e për kët dhe!

Komentet

Shto koment

Të ngjashme