Elbenita Kajtazi-Halimi impresionon kritikën gjermane me rolin e Gretelës

Elbenita Kajtazi-Halimi impresionon kritikën gjermane me rolin e Gretelës

30 nëntor 2017 08:45

Prishtinë, 30 nëntor - Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi-Halimi, e cila po bën karrierë në Gjermani, tashmë është dëshmuar për potencialin vokal. Është ngjitur në skena të mëdha me role goxha kërkuese. Megjithëse e re në moshë ajo vlerësohet për pjekurinë vokale dhe, po ashtu, për paraqitjen skenike.

Kur ajo merr përsipër një rol, mundohet që ta sjellë në formën më të mirë të mundshme. Këtë e ka bërë edhe me rolin e Gretelës në operën “Hansel and Gretel”, e cila bazohet në përrallën me të njëjtin titull të vëllezërve Grimm. E veshur në kostumin shumëngjyrësh, flokët gërshetë, Kajtazi-Halimi është shndërruar në fëmijë. Pikërisht ky transformim, qoftë ai në dukje, paraqitje skenike apo edhe në të kënduar, ka bërë që mediat gjermane të vlerësojnë Gretelin që sjell ajo.

Kjo operë e cila u dha premierë në fillim të muajit nëntor në shtëpinë e njohur operistike “Aalto-Musiktheater” në Essen të Gjermanisë, me të cilën Kajtazi-Halimi njëherësh ka kontratë bashkëpunimi, u mirëprit. Deri më tani ajo është ngjitur tri herë në skenë për të interpretuar rolin e Gretel, në operën e shekullit XIX të kompozuar nga Engelbert Humperdinck, i cili e përshkroi si “operë përrallë”.

Liberto është shkruar nga motra e Humperdinck, Adelheid Wette, bazuar në përrallën e vëllezërve Grimm, që mban të njëjtin titull përderisa opera është vlerësuar për temat e inspiruara nga muzika folk, ku një prej më të njohurave është “Abendsegen” prej aktit të dytë. Ndërsa regjinë e kësaj shfaqjeje në Essen e ka bërë Marie-Helen Jowl.

Gazeta e përditshme gjermane “Ruhr Nachrichten”, në një artikull për këtë shfaqje ka vlerësuar paraqitjen e sopranos kosovare.

“Muzika e mrekullueshme e Humperdinckut e arrin efektin e mrekullisë së kohës së Krishtlindjeve. Elbenita Kajtazi në rolin e Gretelës tingëllon shumë këndshëm, zë rinor dhe mjaft i balancuar tek dueti i lutjeve të mbrëmjes”, ka shkruar “Ruhr Nachrichten”. E gazeta “Neue Ruhr Zeitung” ka parashikuar një të ardhme të ndritur për Kajtazi-Halimin (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme