Teknologjia digjitale i jep një tjetër dimension civilizimit Maya

Teknologjia digjitale i jep një tjetër dimension civilizimit Maya

30 nëntor 2017 14:04

Londër, 30 nëntor - Më shumë se një shekull pasi që hulumtuesi britanik Alfred Maudslay realizoi fotografi të vjetra të disa prej objekteve dhe lokacioneve më të mrekullueshme antike të civilizimit Maya, teknologjia digjitale po sigurohet që ato të shihen gjerësisht.

“British Museum” dhe “Google” kanë publikuar rezultatet e projektit për të digjitalizuar dhe shpërndarë koleksionin e mrekullueshëm të Maudslay, i cili mbahej në depo dhe nuk është parë për më shumë se 100 vjet, bën të ditur The Guardian, transmeton sot “Koha Ditore”.

Jago Cooper, kurator i Departamentit Amerikan të Muzeve, e ka përshkruar Maudslay si një prej evropianëve të parë që ka hulumtuar dhe studiuar rrënojat mayane, si një “vizionar” dhe “pionier në komunikimin vizual”.

Për dallim prej shumë aventurierëve dhe eksploruesve evropianë në shekullin XVIII dhe XIX, Maudslay i la të paprekura pjesën më të madhe të pjesëve arkeologjike. Në vend se thjesht të merrte objektet, ai shfrytëzoi teknologjinë e fundit fotografike për të dokumentuar zbulimet dhe bëri restaurime.

“British Museum” ka më shumë se 250 negativë prej udhëtimeve të Maudslay dhe qindra objekte. Ato janë të ndjeshme dhe shumica prej tyre kanë qëndruar tërë kohën në depo, por ato prezantojnë imazhet më mirë të ruajtura në botë të monumenteve mayane. Bashkëpunimi me “Google” do të thotë se të gjithë, prej secilit vend mund të kenë qasje në to. Cooper ka thënë se Maudslay është njeriu i cili ka ndihmuar që Mayat t’i prezantohen botës.

“Ai e ka ditur se këto do të jenë shembujt më së miri të ruajtura dhe tani, 130 vjet më pas, po e shpalosim atë vizion, po e bartim trashëgiminë e tij në shekullin XXI”, ka thënë ai.

Maudslay ka qenë pjesë e familjes që ka bërë pasuri në pajisje makinerike dhe bulone, që i kanë lënë atij një trashëgimi e cila i mundësoi që të ndjekë pasionin e tij të vërtetë: eksplorimi i qyteteve të humbura. Ai udhëtoi për në Guatemala në vitin 1880, dhe ishte udhëheqës i ekspeditave në lokacionet Mayane të Tikalit, Yaxchilán, Copán, Quiriguá, Palenque, Chichén Itzá dhe Ixkun.

Mayat ishin qytetërim i lashtë që jetoi në një zonë që përfshinte Guatemalën, Meksikën, Hondurasin, Belize dhe El Salvadorin.

“Ata kishin një civilizim të jashtëzakonshëm, ku zhvilluan një peizazh shumë të ndërlikuar urban, duke përfshirë miliona njerëz”, ka thënë Cooper.

Objektet që ka vizituar Maudslay ende kanë histori të patreguara, pasi që hieroglifet mayane për herë të parë janë përkthyer relativisht vonë, tek në vitet ’80. Vetëm një numër i vogël i njerëzve janë në gjendje t’i deshifrojnë.

“Preserving Maya Heritage”, faqe në “Google Alerts and Culture”, është krijuar për t’i mundësuar vizitorëve që të shikojnë fotografitë, objektet dhe dokumentet mayane. Me “Google Cardboard”, njerëzit mund të shkojnë në turne në Quirigua dhe Tikal nëpërmjet “Google Street View”.

Drejtori i “British Muzeum”, Hartwig Fischer, ka thënë se bashkëpunimi ka mundësuar një dimension tjetër se si galeria merret me publikun, e për të inkurajuar sa më shumë njerëz që të vizitojnë Londrën.

“Digjitalja, virtualja dhe analogja këtu në muze, vijnë për të ndihmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ai. Nëse vizitorët e muzeut duan të shohin dëshmi të udhëtimeve të Mudslay, ata duhet të shkojnë tek dalja e sigurimit në përdhese, aty ky dy monumente mayane qëndrojnë në formë vertikale. Cooper shpreson një ditë se një ditë do të jetë një galeri permanente në muze për Amerikën Latine, në mënyrë që sa më shumë objekte prej koleksionit të mundë të ekspozohen.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme