Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër shkakton fërkime

Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër shkakton fërkime

28 nëntor 2017 10:03

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, ka hedhur poshtë akuzat e shoqatës qytetare “Sovest”.

Ai ka deklaruar se restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Ohër është duke u realizuar në përputhshmëri të plotë ligjore dhe sipas një projekti të përgatitur në mënyrë profesionale për të cilin janë marrë të gjitha miratimet e nevojshme më parë.

Restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë (Vakiflar Genel Müdürlüğlü). Xhamia, e cila gjendet në hyrje të Çarshisë së Ohrit, sipas paralajmërimeve nga Myftinia e Ohrit, do të marrë pamjen dhe shkëlqimin e dikurshëm, njëlloj siç ka qenë kur është ndërtuar pesë shekuj më parë.

Më herët këtë javë, qytetarë të Ohrit të organizuar dhe mbështetur nga shoqata qytetare “Sovest”, reaguan ndaj mënyrës se si po kryhet restaurimi i Xhamisë së Ali Pashës në Çarshinë e Ohrit, si dhe aktivitetet ndërtimore përreth objektit, për të cilat ata pretendojnë se janë duke u realizuar pa lejen e duhur nga institucionet kompetente.

Në muajin maj të këtij viti, atë kohë drejtoreshë e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut - Ohër, Buntasheska në një prononcim për AA shpjegoi se sipas disa të dhënave historike dhe sipas karakteristikave arkitektonike, xhamia është ndërtuar në fund të shekullit XV ose në fillim të shekullit XVI.

Siç tha ajo, në kuadër të xhamisë në vitin 1823 është ndërtuar edhe medrese, e cila sot nuk ekziston. Paskali tha se minarja e xhamisë ishte rrënuar në mes të vitit 1912 dhe 1918 dhe asnjëherë deri më sot nuk është rinovuar.

Mbetjet e minares gjenden në anën jugore të xhamisë dhe sot e kësaj dite ka mbetje të piedestalit të minares në lartësi prej 6.5 metrash. Sipas tregimeve të banorëve të vjetër, minarja me lartësinë dhe elegancën e saj ka dominuar në çarshinë e Ohrit. Ajo është ndërtuar me tulla.

“Në ‘udhëpërshkrimin’ e tij, Evlia Çelebiu ka thënë se në Ohër ka ekzistuar xhami me dy minare dhe ndoshta kjo ka qenë ajo xhami. Mbase minarja tjetër ka qenë vetëm themel mbi të cilin asnjëherë nuk është ndërtuar minarja, dhe për këtë arsye nuk shihet në fotografitë e vjetra”, theksoi Paskali në atë kohë për AA.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme