Kulturë

Shllaku porositë ministrin e Kulturës: “Pronto” nuk ka bisht

Emërimi i Këshillit të ri Drejtues të Galerisë së Arteve nga ana e ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, pa e shkarkuar fare Këshillin e deritanishëm është cilësuar si veprim që është “pjesë e mendësisë ‘Pronto’ nga ana e Luan Shllakut, drejtor i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri Civile.

Në një koment të tij të botuar sot në “Koha Ditore”, Shllaku thotë se është obligim juridik që para se të emërohet një trup i ri drejtues, të shkarkohet ekzistuesi, dhe se dështimi për të bërë një gjë të tillë e bën këtë veprim qartë të jetë pjesë e mendësisë qeverisëse që tashmë identifikohet me fjalën “Pronto”.

“Vendimi për caktimin e bordit të Galerisë Kombëtarë, dy vjet pa i skaduar afati bordit aktual, është vetëm pjesë e mendësisë ‘Pronto; që ka filluar ta dominojë politikën kosovare. Nuk është ky vetëm një skandal i radhës, por një brend i ri politik nga i cili dalin edhe mbi 50 zëvendësministra. Është mirë të punosh 24/7 por është edhe ma mirë të mos abuzosh me vlerat e këtij kombi!”, shkruan Shllaku në komentin e tij.

Shllaku thotë se nuk është ky vetëm një skandal i radhës “por është bërë një mendësi, që e ka prodhuar një brend të ri në politikën kosovare nga i cili dalin mbi 60 zëvendësministra dhe, meqenëse kur nuk është boll për t’i pajtuar obligimet e partisë, kusuri i këtyre obligimeve realizohet duke i akomoduar njerëzit tuaj në borde”.

Për më tepër, Shllaku, i cili edhe vet ka qenë pjesë e Këshillit të vjetër të Galerisë Kombëtare si përfaqësues i shoqërisë civile, thotë se në gjithë këtë skandal ka edhe diçka më të rëndësishme se vetë respektimi i ligjit. “I keni shkarkuar njerëzit që vijnë nga elita e artit të Kosovës, të cilët me punën e tyre artistike e kanë shënuar një periudhë të artë të kulturës tonë. E keni shkarkuar Prof. Esad Vallën, piktor, Prof. Ismet Jonuzin, skulptor, Afrim Spahiun dhe Nexhat Krasniqin, që janë doajen të fotografisë dhe filmit si dhe karikaturës Kosovare!

Kur kemi të bëjmë me artistë të këtij kalibri në Kosovë, pesha morale e veprimeve që ndërmarrim karshi tyre është e madhe!”, shkruan Shllaku, në komentin e tij që mund ta lexoni të plotë në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.