Dy zyrtarë të trashëgimisë kulturore në Prishtinë dënohen për keqpërdorim të pozitës

Dy zyrtarë të trashëgimisë kulturore në Prishtinë dënohen për keqpërdorim të pozitës

24 nëntor 2017 12:03

Prishtinë, 24 nëntor - Restauruesi në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Gërguri për keqpërdorimet si ushtrues detyre i institucionit ku punon është dënuar me gjashtë muaj burg ose 3600 euro gjobë.

Njëjtë sikurse Gërguri është dënuar edhe arkitekti i këtij institucioni Gani Gashi. Që të dy kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e restaurimit të Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, proces ky që kishte filluar më 2011 dhe nuk ka përfunduar ende. Sipas vendimit të gjykatës, me pajtimin e të akuzuarve dënimi u është shndërruar në dënim me gjobë, në shumë prej 3600 eurosh për secilin, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i trupit gjykues, Shasivar Hoti, ka shpallur aktgjykimin pasi më 21 nëntor Gjykata Themelore në Prishtinë kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e arritur ndërmjet të akuzuarve Gërguri e Gashi, me prokuroren e rastit Merrushe Llugiqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Agim Gërguri, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, dhe Gani Gushi, arkitekt në këtë institucion, në vazhdimësi gjatë viteve 2010-2013, me qëllim të përfitimit për vete apo persona të tjerë, kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.

Në bazë të aktakuzës, derisa Komuna e Prishtinës kishte lidhur memorandum të mirëkuptimit me IKMM-në, ku kishte ndarë shumën prej 562 mijë eurosh për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë, i akuzuari Gashi kishte gjetur personat që do të angazhoheshin në kryerjen e punëve dhe Gërguri kishte angazhuar ata për kryerjen punimeve pa shpallur tender. Sipas aktakuzës, midis kompanive përfituese për kryerjen e punimeve ishte edhe ajo “Arch Code” me pronare bashkëshorten e të akuzuarit Gashi, Luljeta Gashi, pastaj kontrata për shërbime ishin lidhur edhe me Amir Gërgurin, djalin e të akuzuarit Gërguri dhe Ard Gashin, djalin e të akuzuarit Gani Gashi. Duke bërë këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës.

Tash e katër vjet restaurimi i Xhamisë së Çarshisë në qendër të Prishtinës ka mbetur në gjysmë (më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

ADRIANA27/11/2017 13:13

Agim Gerguri eshte vetem kengetar dhe piktor gjersa "restaurues'' eshte edhe nje mashtrim i ketij matrapazi i cili ka keqeperdorur paran e taksapagueseve te Republikes se Kosoves.

Shto koment

Të ngjashme