`Qeleshja e bardhë` prek zemrat e poetëve zviceranë

`Qeleshja e bardhë` prek zemrat e poetëve zviceranë

23 nëntor 2017 11:29

“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton: hajde të flasim së bashku se, kush flet, nuk është i vdekur” -thërret në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.

“Një rezultat mahnitës qëndron sot para nesh”, thotë Kurer për librin e titulluar: “Die weisse Filzkappe”, transmeton KultPluss.

“Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se, kush fletë nuk është i vdekur” -thërret në stilin e një slam-poeti, shkrimtari dhe publicisti i njohur zviceran, Fred Kurer.

Poeti Isuf Sherifi, ka vite që shkruan, por kështu qartësisht, e me një gjuhë të rrjedhshme gjermane nuk ka folur më parë.

“Qeleshja e bardhë” është libri i fundit i poetit Isuf Sherifi i përuruar mbrëmë në St. Gallen para një numri të madh të lexuesve shqiptarë e zviceranë.

“Një i huaj, një emigrant, përpiqet t`i njohë poetët e Zvicrës me shqiptarët. Poezitë e Isuf Sherifit janë patetike atje, ku ai këmbëngul mbi dashurinë e tij ndaj vendlindjes. Ato janë të hidhura e të kujtojnë çfarë ka ndodhur politikisht dhe do të ndodhë. Në “Qeleshen e Bardhë” rri ulur pikëllimi dhe humbja e vendlindjes, por trishtimi, pavarësisht hidhërimit, ka një qetësi melankonike”, shprehet Kurer.

Poetët zviceranë janë mahnitur me stilin goditës të poezive lirike të poetit Isuf Sherifi, i cili këtë vit po e mbyll, jo me kërkesat e urimet e rëndomta për më tepër dashuri e mirësi, por për më tepër mirëkuptim, kurajë njerëzore në një botë ku jeta mes ferrit dhe parajsës kalon këmbëzbathur duke mos lënë gjurmë në shpirtërat tanë të etur për pushtet e pasuri.

Shkronjat e tij prekin trishtimin njerëzor, skajin e vuajtjeve të njerëzimit, luftërat, vrasjet, pikëllimin për vendlindje e mallin për dashurinë. Ai i shkruan Srebrenicës, Aleppos, refugjatëve, vendlindjes e Plisit. Emocioni ndaj gruas, diellit, yjeve e lirisë janë shputat e këpucëve të shpirtit të vjedhur, shkruan albinfo.ch.

“Libri i Isufit me poezi është një libër i çmuar, nuk janë poezi dashurie. Ato janë shpjegime me pyetje të mëdha mbi integrimin të cilat ai i sjell në dhjetë variacione mbi vendlindjen, e jetën me një të kaluar që është në kërkim të orientimit”, ka përcjellë fjalët e Rheinhard Mermit, moderatori i mbrëmjes, gazetari Richard Butz.

Libri me 54 poezi mbanë titullin “Die weisse Filzkappe” dhe është i pari i këtij lloji i shkruar në gjuhën gjermane nga poeti tetovar, Isuf Sherifi.

Librin e ka botuar shtëpia botuese “Waldgut” në Frauenfeld kurse kritikën letrare i kanë dhënë mbrëmë në librarinë e qytetit St. Gallen “Comedia”, kolegët e tij zviceranë, të cilët kanë vlerësuar në superlativ poezitë e Sherifit. Ky i fundit, ndonëse me një zë të mekur e i mbushur me emocione, por krah tingujve të muzicentit Altin Asllani, u doli përballë edhe një herë shkronjave që dukej se kishin marrë rolin e “Ujkut të stepave” të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hesse.

Në krijimtarinë poetike, Sherifi ka dëshmuar veten në më së paku shtatë botime të tjera, si “Plisi”, Ndarjen nuk e nënshkruaj“, “Udha e kripës”, “Hyrje për në agim“, “Tej harrimit”, “Hije mbi tokë”, “Blick durchs geöffnete Fenster”, “Vështrim nga dritarja e hapur”.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme