Prishtinë, 23 nëntor - Pasi ka përfunduar pjesa më e madhe e punës për rinovimin e Qendrës Rinore në Shtime dhe autoritetet lokale kanë hyrë në obligime financiare afro 200 mijë euro, objekti duhet t’i nënshtrohet restaurimit. Kjo i bie që ai të ndërhyhet sërish, por në një tjetër formë, duke u konsideruar si aset i trashëgimisë kulturore.
Për rinovimin që doli të jetë i jashtëligjshëm, punëkryerësit i janë paguar 50 mijë euro e po aq sa llogariten për punët e kryera nuk janë ekzekutuar. Fiks 189 mijë e 759 euro ka qenë vlera e kontratës. Hapi i radhës do ta konstatojë nëse 100 mijë euro sa llogaritet kostoja e rinovimit deri në ndërprerje do të shkojnë huq.
Rikthimin e krejt procesit e ka kërkuar Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ajo që njihet si “Shtëpia e pëshpëritshme” është rinovuar nga Komuna e Shtimes duke llogaritur në buxhetin e Ministrisë së Kulturës. E tek në shtator të këtij viti institucionet e trashëgimisë kulturore kanë marrë vesh se objekti nuk është duke u trajtuar si aset i trashëgimisë kulturore nga Komuna dhe ndërhyrja në të është bërë në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Tash IKMM-ja e ka marrë përsipër rastin e këtij monumenti (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
-
23 nëntor 2017 10:25
-
Shpërndaje në: