ShKA Agimit mban koncertin tradicional për Ditën e Flamurit

ShKA Agimit mban koncertin tradicional për Ditën e Flamurit

22 nëntor 2017 18:38

ShKA Agimi ka bërë me dije se do të organizojë koncertin tradicional kushtuar 28 nëntorit, Ditës së Flamurit.

Veçantia e koncertit të sivjetmë për Ditën e Flamurit, sipas kësaj shoqate, është rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në repertorin e Agimit.

“Koncerti vjen me një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit dhe valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit. Një numër solistësh, emra të njohur të artit në Kosovë do të jenë gjithashtu pjesë e programit të koncertit, i cili mbahet me 26 Nëntor në Shtëpinë e Kulturës në Prizren dhe fillon në orën 19.30”, thuhet në njoftimin për media të ShKA Agimi.

Kjo Shoqatë thotë se koncerti për nder të Ditës së Flamurit është vazhdimësi e protestës artistike të anëtarëve të përkushtuar të ShKA Agimit.


“Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve”, përfundon njoftimi për media i ShKA Agimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme