Rama thotë se Akademia e Shkencave sot është kufomë e vetvetes

Rama thotë se Akademia e Shkencave sot është kufomë e vetvetes

22 nëntor 2017 13:37

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me grupin reformator të Akademisë së Shkencave, me ç’rast u diskutoa ecuria e mëtejshme e institucionit.

“Unë kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave si një proces që duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propozime konkrete, mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër. Siç e kam thënë dhe në diskutimin që kemi pasur më parë e vërteta është që Akademia e Shkencave sot është kufoma e vetvetes. Ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues”, tha kryeministri Rama në fillim të takimit.

Më tej, kryeministri Rama foli me një gjuhë tepër të ashpër përballë akademikëve, teksa tha se ky institucion është kthyer në funeral, shtëpi varrimi, ku ka lloj-lloj matrapazësh që kërcënojnë gjuhën shqipe. Rama deklaroi se qeveria nuk mund të mbështesë më këtë akademi, ndja dhe do të mbyllet si shërbim social, duke shtuar se do ketë një shkurtim drastik të fondeve për këtë 'qenieje' që ka humbur kuptimin dhe përmbajtjen.

"Që në emër ka diçka që nuk shkon. Na duhet një akademi e shkencave e riparë apo një akademi shqiptare, e cila të ketë synimin të mund të përmbajë brenda vetes të gjithë trurin e shkencës dhe të dijes së kombit tonë, jo thjesht shtetit tonë. Që këtu duhet të nisë rrugëtimi për ta rithemeluar këtë institucion. Është shumë e vërtetë, por prapë ha diskutim që goditja që iu bë në të shkuarën rrjetit të instituteve, mbyllja e shumë prej tyre ka sjellë pasojë. Por sa do ishte në gjendje shteti shqiptar t’i mbante ato institute? Kjo mbetet e diskutueshme, nuk kemi përgjigje ezauruese pozitive. Ne flasim për shkencë, po nëse s’ka një bibliotekë shkencore që mund ta mbajë këtë emër, për çfarë diskutohet.

Çfarë duam ne nga kjo akademi dhe çfarë i shërben sot vendit të ketë si rezultat i rithemelim të këtij institucioni? Akademia si e tillë nuk mund të jetë ajo që bën shkencën, por është kuvendi ai që bën shkencën në sektorët përkatës. Është prier i njomi me të thatin dhe në krah të një profesori të nderuar mund të jetë një analfabet, që ka ardhur aty me të njëjtën peshë me titullin ‘doktor’ që nuk dihet si e ka marrë. Ne nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë një shërbim të tillë social.

Ne mendojmë që pjesën e fondeve që shkon dëm do ta spostojmë për të krijuar bibliotekën shkencore të universitetit, është një shumë e konsiderueshme me të cilën mund të marrim menjëherë dhe të vëmë në dispozicion të fakulteteve dhe shkencëtarëve një bibliotekë dixhitale me të gjitha materialet e orës së fundit dhe ndërkohë, për sa i përket pjesës së pagave dhe shpërblimeve për një grup njerëzish të nderuar ne do vendosim një afat, që do jetë afati i materializimit të këtyre që po diskutojmë. Ne të vazhdojmë dialogun me një institucion që i ka forumet në pikëpyetje, kjo nuk bëhet.

Sikur të ngjallej Eqerm Çabej dhe të futej sot këtu si do ndjehej? Do thoshte ‘më mirë po kthehem në botën tjetër se të rri mes jush’. Kemi një marrëzi përballë, që është Akademia e Shkencave. Përgjegjësia është e gjithanshme. Ne si qeveri nuk mund ta mbajmë më këtë përgjegjësi. Njerëzit po ndahen nga kjo botë dhe akademia mbetet vendi ku realizohen funeralet, është bërë si shtëpi varrimi. Duhet rithemelim, s’ka çfarë rregullohet, pasi është e prishur deri në fund.

Gjuha jonë kërcënohet drejtpërdrejtë nga lloj-lloj matrapazësh. Vitin e ardhshëm do hedhim bazat për një fondacion real për akademinë. Jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët në Evropë dhe me përfitimin më të ulët në rajon nga fondet e kërkimit shkencor të BE. Qeveria paguan tarifën çdo vit për të pasur akses dhe kur ballafaqohemi me kolegët tanë në rajon është e pabesueshme se çfarë hendeku të madh ka kjo akademi. Krejt e shkëputur nga këto zhvillime, e ndarë nga rrugët e kërkimit të fondeve. Na duhet një strukturë, një akademi shqiptare përtej kufijve shtetëror, që të jetë e gatshme të luajë rolin që folëm. Ne si qeveri nuk do rrimë në pritje dhe as mund ta bëjmë vetë, se do bënim një tjetër çudi.

Ne jemi të detyruar t’iu vendosim në një detyrë të vështirë në raport me shërbimin social. Duhet të bëjmë një shkurtim drastik të fondeve, duke ruajtur pjesën e financimit me ata, që sipas statusit, marrin një shpërblim, me një kusht që kjo të përkthehet në një platformë rithemelimi të akademisë. Duhet zëvendësuar kjo lloj qenieje që ka humbur kuptimin dhe përmbajtjen. Topi është në fushën tuaj, ne këto dy masa kemi, në buxhetin e 2018 do lëmë vetëm pjesën që do mbajë bashkë ju, në funksion të kësaj pune. Akademia si shërbim social do të mbyllet", përfundoi Rama.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme