Filmi “Dita zë fill” rrëmben një tjetër çmim në Shkup

Filmi “Dita zë fill” rrëmben një tjetër çmim në Shkup

22 nëntor 2017 11:23

Filmi “Dita zë fill”, me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, mori çmimin Golden Sun – Best Film në CineBalkan në Cinedays Festival of European Film në Shkup.

Ky film flet për një nënë, e cila bashkë me foshnjën e saj vendosin të jetojnë me një grua të vjetër dhe të sëmurë.

Ajo që është vlerësuar në filmin “Dita zë fill”, ka qenë drama e fortë sociale, e cila zhvillohet e gjitha brenda katër mureve dhe historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia, transmeton ATSH.

Në film luajnë Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Hermes Kasimati, Adele Gjoka, Pëllumb Dervishi. “Dita zë fill” pati premierën botërore në Festivalin e Sarajevës, ku fitoi “Zemrën e Sarajevës” për aktoren më të mirë protagoniste që u shpall Ornela Kapetani. Regjisori Koçi më herët është shprehur se historia në filmin e tij mund ti ndodhë kudo.

“Dita zë fill (Daybreak) është një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Marrëdhëniet njerëzore si dhe kompleksiteti i thellë i tyre më kanë tërhequr gjithnjë. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia”, tregon ai. Një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhim i ARTALB FILM në bashkëprodhim me GRAAL FILMS, realizuar me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages, Ministrisë së Kulturës, SEE Cinema Netework, etj.

Pas festivalit të filmit në Sarajevë, “Dita zë fill” nga data 14 shtator nisi në kinema për publikun shqiptar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme