Kulturë

Kontrasti i botës “... në shqetësime dhe heshtje...”

Në hyrje të galerisë vizitori përballet me piktura që reflektojnë qetësinë, natyrën dhe të bukurën. Kështu portretizohet në njëfarë forme fillimi i krijimtarisë artistike të piktorit Halil Muhaxheri.

Me të hyrë në sallë, punime të madhësive të ndryshme reflektojnë jetën, frikën, të bukurën, mistiken, por edhe përditshmërinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pemët dhe kombinimi me portrete njerëzish janë vetëm disa prej formave të paraqitura në pikturat që paraqesin natyrë të qetë. Kalimi prej një forme të “pafajshme” të të pikturuarit i çon vizitorët tek nudot që paraqesin një realitet apo edhe ëndërr mitike, një lidhje mes jetës dhe vdekjes, të pasqyruara përmes brushës së artistit.

Ngjyrat e ndezura, loja me kompozicionin, ekspresionizmi, i karakterizojnë këto piktura. Por kalimi prej korridorit në njërën dhomë e më pas në tjetrën shpalos ciklin e veprave të artistit prej vitit 1971 e deri në fillim të viteve ‘90. Më në qendër janë pikturat të realizuara prej fundit të viteve ‘90 deri më 2013 në vitin kur ai vdiq. Aty paraqitet lufta e fundit në Kosovë. Shtëpitë e djegura, skeletet e njerëzve, vuajtja...

Krejt këto në një formë tjetër kompozicionale e që karakterizohen nga ngjyrat e ngrysura, e që pasqyrojnë qartazi dhimbjen e artistit. Veprat e realizuara përgjatë më shumë se katër dekadave të piktorit Muhaxheri janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Image

“... në shqetësime dhe heshtje...” është titulluar kjo ekspozitë retrospektive e kuruar nga piktori Esat Valla, njëherësh edhe koleg e ish-mik i afërt i piktorit gjakovar.

Sipas Vallës, Muhaxheri çdoherë bënte zgjidhje dinamike, tejet ekspresive dhe në hap me kohën. Ai thotë se në tablotë e artistit gjenden forma të ndryshme që paraqesin dhe e definojnë atë si piktor.

Halil Muhaxeri, i cili jetoi dhe vdiq në Gjakovë, i takon gjeneratës së mesme të piktorëve kosovarë, i cili nga kolegët dhe njerëzit e fushës vlerësohet si piktor i cili la gjurmë me artin e tij... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.