Natyra shqiptare në penelin e 12 piktorëve

Natyra shqiptare në penelin e 12 piktorëve

19 nëntor 2017 12:30

Ekspozita “Plein Air”, ka bërë bashkë 12 piktorë të njohur që kanë ekspozuar veprat e tyre në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita këtë vit vjen në edicionin e tretë dhe është hapur për publikun më 15 nëntor në mjediset e MHK ku i ka shtuar gjallërinë jetës artistike në Tiranë.

Këtë herë janë veprat e pikturës që janë realizuar nga artistë të njohur si : Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sadik kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili dhe Xhaneta Kadillari .

Në këtë ekspozitë artistët kanë prezantuar nga pesë vepra secili dhe janë të realizuara në vitin e fundit, si dhe nuk janë ekspozuar më parë. Piktori Pashk Përvathi pohon se në tablotë e pikturës janë peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kalabria, ku artistët kanë piktura.

Pashk Përvathi pjesëmarrës në këtë ekspozitë thotë se, ”jemi një grupim prej 12 piktorësh peizazhistë ku kemi pikturuar në vende të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht është veriu i vendit. Punët tona janë të realizuara në teknikën e vajit dhe ne nuk prezantohemi me një punë, por me disa piktura” tregon Vathi.

Ai gjithashtu shtoi se “secili nga ne 12 piktorët peizazhistë prezanton në ekspozitë pesë punime, të cilat janë të realizuara përgjatë këtij viti dhe ekspozohen për publikun në muze”, vijoj më tej ai.

Ngjyra, emocione, ndjenja, energji dhe penelata që dalin nga shpirti, duke modeluar e përjetësuar peizazhe nga Shqipëria. Kjo është ajo që prezanton ekspozita “Plein Air” edhe këtë vit.

Artistë që kanë krijuar grupimin “Artistët e Plenerit” ndryshe nga grupimet e tjera deri më tani në art, kanë si qëllim që në ekspozitat që çelin të prezantojnë vetëm tablonë me peizazhin shqiptar ku artëdashësit do ti shohin deri më datë 22 nëntor në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme