Kulturë

Rock-muzikanti libanez me flamurin për të drejtat e njeriut

Hamed Sinno, rocker 29 vjeç libanez, erdhi i shqetësuar në “Christopher Street” në Manhatttan. Ai e kishte ngatërruar lokacionin dhe derisa taksi e solli në West Village, ai veçse ishte një orë me vonesë.

I veshur me një fanellë të zezë dhe me një shirit në kokë, kishte harruar që duhej të fotografohej dhe kërkoi falje për “frizurën e keqe”.

Probleme të yjeve të rockut, apo jo? Por, telashet e Sinnos janë më të komplikuara sesa shumë të tjerëve, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Duke qenë i vetmi i famshëm në botën arabe që ka deklaruar hapur se është homoseksual ai është bërë një zë i fuqishëm i çështjeve të të drejtave të njeriut, sado që gjithë çfarë dëshiron në të vërtetë është të bëjë muzikë.

Bendi i tij, që bën muzikë indie, “Mashrou’ Leila”, e ka një grup adhuruesish të rinj e progresivë që ka mbledhur viteve të kaluara.

Në vendlindjen e anëtarëve të grupit, Liban, turma të tëra dynden për të parë performancat e Sinnos, me fanella që ekspozojnë muskujt, ata këndojnë këngët që janë sensuale dhe goxha satirike. Por telashet duket se e ndjekin kudo. Më 22 shtator, bendi i tij pati një koncert para 35 mijë vetash në Kajro, ku disa spektaktorë madje valëvitën flamujt me ngjyra ylberi.

Brenda ditësh, shtatë njerëz qenë arrestuar për “nxitje të devijimit seksual”, pjesë e goditjes së presidentit Abdel Fattah, kundër homoseksualitetit. Numri i të arrestuarve u rrit së paku në 65 deri në fund të tetorit. Bendit “Mashrou’Leila” iu ndalua të performojë në Egjipt dhe thashethemet homofobike u shpërndanë online.

“Nuk është se kemi shëtitur duke djegur libra të shenjtë dhe duke urinuar mbi monumente kombëtare”, ka thënë Sinno. “Më pëlqen çfarë bëj. Por është frikësuese”.

Herë pas herë, grupi ka shkaktuar polemika, siç ndodhi kur e anuloi performancën hapëse të koncertit të “Red Hot Chili Peppers”, për të dëshmuar solidaritet me “BDS”, lëvizjen që thërriste për bojkot, shkarkim dhe sanksione kundër Izraelit. Por në të shumtën e rasteve, vetë orientimi seksual i Sinnos, ishte provokim i mjaftueshëm. Bendi ka qenë i ndaluar nga Jordani, dy herë.

“Dhe herën e dytë, ishin edhe më pak të sjellshëm. Thjesht, e nxorën jashtë mendimin ‘nuk i duam, sepse janë homoseksualë’”, thotë Sinno. Ai rrotullon sytë... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.