Paradoks dhe poezi - Sislej Xhafa me ekspozitë në Berlin

Paradoks dhe poezi - Sislej Xhafa me ekspozitë në Berlin

18 nëntor 2017 18:23

Një pemë ulliri në një cep të parëndësishëm pas dere, ajo nuk bie menjëherë në sy, megjithëse është objekti i parë e ekspozitës së Sislej Xhafas në Berlin. Te trungu i pemës është një copë letër me mbishkrimin: “don't touch me” - Mos më prek. Pema i ka rrënjët në një pirg dheu të hedhur mbi dyshemenë e fortë.

“Ajo është bukuria, toka, diçka që nuk është prona jonë, por që prapë është pjesë e jetës sonë”, shpjegon Xhafa në një intervistë me Craig Burnett, drejtorin e ekspozitës, raporton DW.

Pema mesdhetare, e cila ka aftësinë që ta ruajë freskinë e saj për qindra shekuj me radhë – ulliri më i vjetër i Kretës thuhet të jetë katërmijë vjeçar – ofrohet për komunikim, por kërkon të respektohet. Dhe ndoshta me të drejtë: Se ajo e ka zbuluar prej shumë kohësh sekretin e rinisë së përhershme, ëndrrën tonë më të paarritshme.

“shadow of curls” e ka titulluar Sislej Xhafa ekspozitën e tij të parë personale në Berlin. Në shqip mund të përkthehej me “hija e kaçurrelave” por artisti na këshillon ta shijojmë titullin në anglisht, sikurse edhe titujt e objekteve të ekspozuara. Shumica janë të ashtuquajtura ready-mades, sende të së përditshmes, që ai i ka mbledhur nëpër Berlin.

Image

Të vendosura në ekspozitë, ato ofrojnë hapësira reflektimi. Sikurse në veprat e tjera, ndër të cilat “lost and found”, prezantimi zyrtar i Kosovës në Bienalen e Venecias 2017, artisti nga Kosova vijon traditën e artit konceptual të stilit të Marcel Duchamp-it, duke i ftuar vizitorët të marrin pjesë në këtë përvojë me përsiatjet e tyre.

Shfrytëzoj rastin për një sprovë: ullirin në qoshe e shoh si simbol të prejardhjes sime që më ka dhuruar mjedisin e ngrohtë dhe familjar, vendlindja e braktisur për një ëndërr, të quajtur liri. Këtë nocion e ndesh te tri tablotë e mëdha të varura në murin e majtë të hollit, të titulluara “raw breeze”: Tri piktura, në pamje të parë vetëm të bardha. Kërkohet një vështrim më i vëmendshëm për të shquar mes asaj bardhësie disa hije të lehta që marrin trajtën e telave me gjemba.

“Për mendimin tim, liria nuk është nocion teorik, por përvojë”, thotë Xhafa në të njëjtën intervistë. “Jemi ne ata që vendosim se si dhe kur na merret liria”.

Ndërsa unë e përjetoj “raw breeze” si një ballafaqim me paradoksin e lidhur me premtimin e lirisë dhe përvojën me të: liria e brendshme mund të jetë një zgjedhje, akt çlirimi individual, ngadhënjim mbi identitetin e imponuar, por edhe ajo mbetet “burg”. Dhe pyes: A mos është liria iluzion?

Ekspozita përmban 15 instalacione të shpërndara në dy kate dhe pothuaj të gjitha shprehin një gjendje paradoksale. Një dyshek me kaktuse (stinging pocket), një skelet çadre prej betoni (dry shade), një frigorifer me një vrimë (desert in hole), objekte që më kujtojnë diçka të parealizueshme, por reale. Më ndërmendin rendjen pas dëshirave, ëndrrave, ndoshta pas ideve fikse, pa e vënë në pikëpyetje vlerën e tyre.

Një torbë plastike e hedhur në dysheme. Brenda saj një shandan. Këto dy ready-mades janë në kundërshti me njëra-tjetrën. Në “still life on left lane” (natyrë e qetë në korsinë e majtë) trasta duket sikur i ka rënë nga dora dikujt në arrati. Xhafa vetë thotë në një intervistë dhënë revistës “monopol”: “Gjithkush ëndërron të parakalojë në korsinë e majtë. Por çfarë marrim me vete në udhëtimin tonë? Me cilat objekte jemi të lidhur? Cilat vlera mbartim me vete?”.

Trasta me shandan më kujton ekzistencën e një emigranti pas një jete materialisht më të mirë, ose të një refugjati që ka humbur sofrën dhe endet në perëndim në kërkim të një sofre të re. “Nuk dua të tregoj vuajtje dhe dhimbje” thotë artisti. “Ato i shohim me bollëk kur ndezim televizorin”.

Sislej Xhafa u lind në Pejë, në vitin 1970 dhe është rritur në Prishtinë në një ambient të lidhur me artin bashkëkohor, por, si shqiptar në Kosovën e fundshekullit XX, nuk i është kursyer as atij përvoja e shtypjes kolektive, ku nocione si liria, identiteti, vendlindja, atdheu vihen në pikëpyetje.

Ai banon prej kohësh në Nju Jork dhe ekspozon në rang ndërkombëtar. Shumë prej punëve të tij kanë sfond biografik dhe mund të interpretohen si prononcime politike. Sislej Xhafa vetë nuk synon atë me punën e tij, por të ngjallë te shikuesi asociacione, emocione që në komunikim me objektin e vendosur në galeri krijojnë një atmosferë magjike.

“Çdo vepër e ka një histori të vetën, një histori të cilën e dërgojmë dhe e ndajmë, por më e rëndësishmja është që ndaj veprës të krijohet një përvojë magjike”, thotë ai.

Dhe e parë nga kjo perspektivë, mua më duket ekspozita e parë e Sislej Xhafës, e cila qëndron e hapur deri më 27 dhjetor në degën berlineze të galerisë Blain Southern mund të merret edhe si një poezi, ku çdo diçiturë, është një varg më vete, që kërkon reflektim vetjak. Para se të dal prej ekspozitës, shoh dhe njëherë pemën e ullirit, të vendosur në një cep modest, dhe mendoj se është objekti më i lëndueshëm dhe më modest i ekspozitës. Dy veti që imponojnë respekt. Don't touch it.

Ekspozita “shadow of curls” qendron e hapur nga 11 nëntori deri më 23 dhjetor 2017.

Shkruan: Anila Shuka

Komentet

Shto koment

Të ngjashme