Kulturë

Ekspozita e përhershme në Muzeun e Kosovës ende vetëm koncept

Prishtinë, 17 nëntor - Tre muaj para afatit të paralajmëruar për hapjen e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, menaxhmenti i institucionit më të lartë muzeor në vend ka thënë se kanë nisur t’u qasen eksponateve. Por, për ta konkretizuar krejt atë që është hedhur në letër ka ende shumë punë për të bërë.

Pos kësaj, koncepti i nxjerr jo pak mangësi. Skema për pavijonin e arkeologjisë del të jetë hartuar pa e ditur se cilat eksponate do të mundë të ekspozoheshin. Për disa periudha nuk ka eksponate, disa të tjera duhet të trajtohen e deri te ekspozimi duhen krijuar kushtet. Arsyetimi i Muzeut është se ekspozita e paralajmëruar të hapet më 17 shkurt të 2008-s do të jetë vetëm bazë.

“Lista e eksponateve ekzistuese që ndodhen në Muze apo gjetiu nuk ka qenë në dispozicion gjatë përpilimit të një liste potenciale të eksponateve, në kohën kur grupi punues përcaktoi skemën e ekspozitës së pavijonit të arkeologjisë”, shkruhet ndër të tjera në konceptin e përfunduar në shtator.

Në tërësi, eksponatet më të rëndësishme që datojnë nga epoka e neolitit e deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008, pritet të jenë pjesë e ekspozitës së përhershme të cilën Muzeu i Kosovës do ta ketë për herë të parë 18 vjet pas përfundimit të luftës.

MKRS-ja në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ka paraparë 175 mijë euro për këtë ekspozitë, e cila është paralajmëruar të hapet më 17 shkurt të vitit të ardhëm në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.