Kulturë

Profesorë e studentë kundërshtojnë ndërhyrjet në objektin e Fakultetit Teknik

Njërës anë të objektit të Fakultetit Teknik i janë mbuluar strukturat e betonit. Pas izolimit me stiropor ndërtesa do të ngjyroset. Por për këtë do të vendosë një komision i veçantë.

Përderisa një grup i profesorëve të arkitekturës dhe studentëve konsiderojnë se ndërhyrjet janë duke ia humbur vlerën objektit e frymës arkitekturore të Prishtinës së shekullit të kaluar, për një pjesë të stafit të fakulteteve që zënë vend në këtë hapësirë, ndërtesa nuk paraqet vlera, shkruan sot “Koha Ditore”. Të martën me thirrjen “Stop krimit arkitektonik” profesorë e studentë kanë kërkuar që të ndalohen këto veprime.

Arkitektja Gresë Musliu ka thënë se objekti i projektuar më 1972 nga slloveni Edvard Ravnikar posedon vlera unike.

“Stili i tij arkitektonik shpërfaq një ndërthurje të arkitekturës ekspresive, konstruksionit dhe funksionit logjik në ndërtesë. Ndërtesat e tij janë përfaqësuese të denja të stilit brutalist, i cili i zbuluar në gjysmën e dytë të shekullit XX është i njohur për përdorimin e naturë-betonit”, ka thënë ajo. “Naturë-betoni si material i gravuar në mënyrë të veçantë me një pjesë konstruktive të ekspozuar në fasadë dhe zgjidhje logjike përbrenda ndërtesës me të gjitha hapësirat e nevojshme i ka Fakulteti Teknik”, ka shtuar Musliu derisa ka folur për qëllimin e protestës.

Sipas saj këto elemente e bëjnë këtë ndërtesë shumë të veçantë me një vlerë arkitektonike të pakontestueshme të kryeqytetit të Kosovës.

Gjatë fjalimit thirrës për ndaljen e asaj që e quajnë degradim arkitekturor, Musliu ka përmendur edhe ndryshimet që u janë bërë objekteve si Pallati i Shtypit, hoteli “Grand”, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, objekti i Fakultetit Filologjik, e ai ish-hotelit “Bozhur”.

Profesori i arkitekturës, Kujtim Elezi, ka thënë se ekziston një grup kundër degradimit të një kryevepre të arkitektit Edvard Ravnikar.

Por krejt ndryshe mendon profesori i ndërtimtarisë, Naser Kabashi, i cili është koordinator i punimeve. Ai thotë se objekti nuk paraqet ndonjë vlerë arkitekturore... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.