Kulturë

Nga 20-30 nëntor - Festivali i Filmit Frankofon në Kosovë

Në Prishtinë e Pejë, nga 20 deri më 30 nëntor, do të mbahet Festivali tashmë tradicional i Filmit të Frankofonisë, njoftoi Ambasada e Francës në Prishtinë.

Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës, Belgjikës dhe Luksemburgut, Aleancën Franceze të Prishtinës, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, organizon edicionin e 17-të të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, bën të ditur kjo ambasadë.

Në njoftim theksohet po ashtu se kinemaja Cineplexx në Albi Mall është bashkëpunuese për organizimin e festivalit, i cili do të mbahet prej 20 deri më 30 nëntor 2017.

Hapja e festivalit do të bëhet të hënën, më 20 nëntor në orën 19:00 në Cineplexx. Atë natë filmi Jalouse i David dhe Stéphane Foenkinos do të prezantohet nga vetë regjisorët e filmit.

Një takim letrar do të mbahet të martën, më 21 nëntor në orën 9:00 në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës rreth përshtatjes së veprave letrare në kinema nga vëllezërit Foenkinos, të cilët rregullisht bashkëpunojnë në projektet e veprave dhe filmave.

Aktivitetet do të vazhdojnë me fokusim mbi vallëzimin në kinema dhe me shfaqje çdo mbrëmje në orën 19:00 në Cineplexx prej 20 deri me 24 nëntor. Një mbrëmje e kinemasë belge do të mbahet të premten, më 24 nëntor në ora 19:00, në Aleancën Franceze të Prishtinës, me shfaqjen e filmit Tokyo Fiancée, ku do të ketë edhe birra.

Festivali do të vazhdojë më 25 dhe 26 nëntor në kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë, në bashkëpunim me ekipin e festivalit Anibar.

Në fund, më 30 nëntor, shfaqja e filmit Tapis Rouge do të mbahet në Universitetin e Prishtinës (Fakulteti i Filologjisë) për studentët.