Myslimanët në Beograd, me vetëm një xhami, detyrohen të improvizojnë

Myslimanët në Beograd, me vetëm një xhami, detyrohen të improvizojnë

15 nëntor 2017 20:14

Nën hijen e një xhamie të demoluar, rreth 30 burra ishin mbledhur në një shtëpi në distriktin e zymtë në veri të Beogradit. Ezani u dëgjua përmes një dere të hapur.

“Kjo ishte një shtëpi familjare. Mund të lutemi në të, por nuk është legale”, ka thënë Hilmija, një 47-vjeçar mysliman dhe anëtar i pakicës rome në Serbi. “Është poshtëruese”.

Shtëpia përfaqëson vetëm një nga përpjekjet e rreth 20 mijë myslimanëve në kryeqytetin e Serbisë për t’u mbledhur në qytet dhe për t’u falur.

Beogradi ka një xhami, të ndërtuar në vitin 1575, kur qyteti ishte pjesë e Perandorisë Osmane. Ky qytet njihet për raportet e ftohta me islamin.

Shumë myslimanë ishin larguar gjatë kolapsit të ish-Jugosllavisë, kur Serbia kreu masakra ndaj myslimanëve në Bosnje dhe nisi luftën me Kosovën me shumicë myslimane.

Problemi me xhamitë në Beograd u rrit sivjet kur autoritetet demoluan një xhami të improvizuar në distriktin e Fushës së Zemunit gjatë muajit të Ramazanit, në maj.

Myslimanët ishin ngritur në protesta për të bllokuar rrënimin, por buldozerët bashkë me policinë ishin kthyer në mbrëmje për të kryer punën e tyre. Krejt çka mbeti aty ishte themeli i betonit. Tani myslimanët luten në shtëpinë afër dhe në shtëpitë tjera private.

Komuniteti mysliman në Serbi thotë se autoritetet e Beogradit vazhdimisht kanë injoruar kërkesat e këtij komuniteti për ndërtimin e xhamive dhe ka ngritur pikëpyetje lidhur me vendosmërinë e shtetit për të drejtat e minoriteteve, një matës i rëndësishëm për pranim në Bashkimin Evropian.

Vetë BE kishte reaguar më 2016. “Të drejtat e një minoriteti për të nisur dhe për të ndërtuar institucione religjioze duhet të garantohen plotësisht edhe në praktikë”, kishte thënë atë kohë BE-ja.

Në anën tjetër, Beogradi kishte mohuar se po bllokonte ndërtimin e xhamive të reja, duke thënë se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga komuniteti mysliman në Serbi.

Myftiu Muhamed Hamdi Jusufspahiq, kreu i Asamblesë Supreme të komunitetit mysliman në Serbi, ka thënë se burokracia bizantine e Serbisë dhe dyshimet ndaj islamit kanë bërë që shteti të ishte kundër tyre.

“Kemi kërkuar leje në një numër të rasteve për një numër lokacionesh, për dekada... por nuk kemi arritur kurrë në kualifikimin e këtyre lejeve. Çdo kërkesë do të mbetej në sirtar”, ka thënë ai për Reuters.

Ministria e Drejtësisë në Serbi ka thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë problemi.

“Serbia ka përmbushur të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian në sigurimin e të drejtave dhe liritë fetare, krahas dispozitave kushtetuese”, ka thënë Mileta Radojeviq, që udhëheq departamentin për bashkëpunim me komunitetet religjioze në këtë ministri.

Në total, Serbia ka 230 mijë myslimanë, rreth 3.1 për qind e popullatës, kryesisht në rajonin e Sanxhakut, transmeton Koha.net.

Në vitin 2004, si përgjigje e trazirave të marsit në Kosovë, beogradasit kishin djegur xhaminë e Beogradit dhe një tjetër në Nish. Të dyja janë rindërtuar.

Emin Zejnullahu, myftiu i xhamisë së shkatërruar në Fushën e Zemunit, ka thënë se myslimanët nuk duhet të zmbrapsen.

“Duhet të praktikojmë fenë tonë, pavarësisht pengesave. Duhet të jemi fqinj të mirë me të gjithë, pavarësisht besimit dhe kombësisë”, ka thënë ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme