U hap edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”

U hap edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”

15 nëntor 2017 14:54

Me një ceremonie të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve sot është hapur edicioni i 20-të i Panairit të Librit “Tirana 2017”, ku shtëpitë botuese shqiptare për disa ditë me radhë do të prezantojnë për publikun botimet e tyre.

Në panairin që mbahet nga data 15-19 nëntor dhe që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë, marrin pjesë dhe Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, ku do të prezantohen botimet e institutit, si dhe materiale promovuese për Turqinë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, gjatë ceremonisë së hapjes së panairit tha se politikat e shtetit për librin duhet të jenë të drejtuara tek lexuesi.

“Sot hapet një aktivitet, që nuk duhet të jetë aktivitet fjalimesh, por leximesh. Duhet të lëmë lexuesit, autorët, përkthyesit, pastaj botuesit dhe institucionet në shërbim të tyre për një gjë që më duket shumë e rëndësishme në komunikim përmes leximit. Pa lexues nuk ka as botues, as autorë, as përkthyes, vdes edhe libri vetë. Duhet një punë shumë e madhe bindëse dhe edukative me lexuesin më shumë sesa në burimin vetëm të botimit që është më shumë pjesë e profesionalizmit”, u shpreh Kumbaro.

Duke folur për dixhitalizimin e fondit të librave në Bibliotekën Kombëtare, Kumbaro tha se lexuesit përveç librit prej letre duhet të përdorin edhe librin elektronik.

“Është pjesa më e madhe e shoqërisë që duhet të përdorë librin, dhe jo domosdoshmërish vetëm librin prej letre, por dhe librin elektronik. Në Bibliotekën Kombëtare ne kemi 20 fishuar numrin e faqeve të dixhitalizuara të fondit që kemi në biblotekë në harkun e tre viteve, të cilin përpiqemi ta promovojmë dhe t'ja japim nxënësve dhe të rinjve edhe në smartfonin e tyre. Unë luftën time kryesore e kam me kohën në favor të lexuesit”, theksoi Kumbaro.

Në këtë panair marrin pjesë edhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Panairi i Librit është një ngjarje e rëndësishme kulturore për adhuruesit e librave ku marrin pjesë rreth 87 shtëpi botuese.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme