Kulturë

Botuesit nga Kosova me 150 tituj në Panairin e Librit në Tiranë

Ngjarja më e madhe e librit në Tiranë edhe sivjet do t’i mbledhë shtëpitë botuese shqiptare në një vend. Panairi i Librit, i cili këtë vit shënon edicionin e 20-të, do të mirëpresë 150 tituj të rinj vetëm nga Kosova.

Shtandi prej 42 metra katrorë që i dedikohet botuesve e shkrimtarëve kosovarë, i vendosur në hyrje të panairit do të qëndrojë aty prej datës 15 deri më 19 të muajit nëntor, aq sa edhe do të zërë vend kjo ngjarje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Panairi këtë vit nuk ka një temë të caktuar, por një prej ngjarjeve që konsiderohet si më të rëndësishmet është punëtoria për përkthyesit e rinj. Derisa viteve të kaluara është përballur me vështirësi, siç është rrënja e numrit të shtëpive botuese dhe ankesa për rrënjën e lejueshmërisë, as këtë vit s’ka kaluar pa telashe në organizim. Megjithatë, sipas organizatorëve nuk do të mungojnë edhe prezantimet e librave, si në Pallatin e Kongreseve edhe në shtandet e shtëpive botuese.

Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli, ka thënë se tashmë Kosova ka krijuar një traditë goxha të gjatë sa i përket pjesëmarrjes në Panairin e Librit në Tiranë.

“Pjesëmarrja e botuesve të Kosovës në Panairin e Librit në Tiranë tashmë është kthyer në traditë. Në panairin e njëzetë me radhë sivjet marrin pjesë pothuajse të gjithë botuesit e Kosovës, disa individualisht me stendat e tyre dhe të tjerët të organizuar në stendën e botuesve të Kosovës”, ka thënë Zeneli. Ai ka thënë se numri i titujve me të cilët do të prezantohet sivjet Kosova është i kënaqshëm dhe më i madh se vitin e kaluar.

“Përveç promovimit-shitjes, do të jenë prezent besoj shkrimtarët të cilët do të kenë dhe librat e tyre në stendat e botuesve. Risitë e sivjetme janë titujt e rinj që botuesit do të sjellin në këtë panair”, ka thënë Zeneli, tek ka treguar se mbështetja nga Ministria e Kulturës është hapësira në të cilën ekspozojnë botuesit në kuadër të stendës së botuesve të Kosovës.

“Padyshim që vështirësi ka, duke filluar nga procedurat e zhdoganimit dhe pastaj doganimit të tyre në doganat e Shqipërisë, pastaj procedurat që marrin kohë dhe krijojnë vonesa, por duhet kaluar”, ka thënë Zeneli.

Rreth 10 shtëpi botuese nga Kosova do të jenë prezentë në shtandin e SHBK-së, mes së cilëve “Buzuku”, “Meshari”, “Koha”, “Titanic”, “Teuta” e të tjera.

“Hapësira është e mjaftueshme dhe vendi i ndarë nga organizatori për shoqatën e botuesve të Kosovës është në hyrje të panairit, pra një pozitë shumë e mirë për ne”,ka thënë Zeneli. Organizator i Panairit të Librit në Tiranë është Shoqata e botuesve shqiptarë.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Ymeri, në një intervistë për “Mapo” ka thënë se edhe këtë vit po përballen me vështirësi të ndryshme.

“Ky është një vit jubilar, por është një vit i vështirë për ne si botues. Ka më pak libra të botuara, për arsye të situatës jo shumë të shëndetshme ekonomike, sepse ka pasur më pak shitje”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, do të jenë rreth 100 ekspozues pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova Maqedonia dhe Mali i Zi. Por sa tituj të rinj do të prezantohen në përgjithësi ai ka thënë se nuk ka një shifër të saktë.

“Nuk kemi një numër të saktë për titujt e rinj, por di që në konkursin që organizon panairi, juria ka marrë rreth 100 libra që janë propozuar nga shtëpitë botuese. Nuk mund të themi me siguri se sa libra do të paraqiten, por ka mjaft libra të mirë”, ka thënë Ymeri.

Panairi i Tiranës edhe këtë vit do të ndajë çmimet tradicionale, por në mesin e tyre edhe çmime të tjera. Çmimi për autorin e vitit, përkthyesin e vitit dhe libri më i mirë për fëmijë, do të ndahen nga juria në përbërje prej krijuesit Aleksandër Çipa, gazetares së kulturës Anisa Ymeri, studiueses së letërsisë, Belfiore Qose, shkrimtares Flutura Açka dhe përkthyesit Shpëtim Çuçka.

“Do të përfshihen në konkurrim të gjitha botimet pas Panairit të 19-të të Librit (dhjetor 2016-nëntor 2017). Data e botimit duhet të vërtetohet nëse është e fundvitit 2016. Në konkurrim nuk pranohen ribotime. Në këtë konkurrim përfshihen të gjithë botuesit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova apo Maqedonia, pjesëmarrës në Panair”, shkruhet në njoftimin e jurisë.

Ndërsa Ymeri ka treguar arsyen e gamën e vlerësimeve dhe çfarë çmime të tjera do të ndahen.

“Këtë vit, si jubilar, ne do të japim më shumë çmime. E zgjeruam gamën e vlerësimeve dhe praktikisht do të jepen këto çmime: autori më i mirë, përkthimi më i mirë, letërsi për fëmijë, çmimi i veçantë, çmim për botuesit e librarët…E ndërmorëm këtë nismë për të vlerësuar me aq mundësi sa kemi, gjithë operatorët e librit shqip. Pa dyshim që mundësitë tona janë të kufizuara”, ka thënë Ymeri. Vitin e kaluar, Panairi i Librit në Tiranë është mbajtur rreth temës “E ardhmja e librit digjital në Shqipëri”.