Zbulimi i një kënge të panjohur për Gjermaninë e viteve ‘30

Zbulimi i një kënge të panjohur për Gjermaninë e viteve ‘30

12 nëntor 2017 21:00

Një këngë e panjohur më herët e Kurt Weill, kompozitorit që njihet më së shumti për “The Threepenny Opera”, është zbuluar në Berlin dhe i ka zënë krejtësisht në befasi disa prej ekspertëve më të njohur të veprës së tij.

Vepra, e titulluar “Lied vom Weissen Käse” (Kënga e djathit të bardhë) - që ishte shkruar për një mjuzikël të periudhës së Weimarit dhe qe kënduar nga aktorja Lotte Lenya, e cila ishte gruaja e Weillit - së fundi u gjet në një arkiv në Universitetin e Lirë të Berlinit dhe po konsiderohet si një prej zbulimeve më të rëndësishme të të gjithë muzikës së këtij kompozitori, qysh prej fillimit të viteve ’80, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Kënga më herët kishte ekzistuar vetëm në kujtesën e Lenyas dhe ishte shkruar si imagjinare.

“Njëfarë mënyre është e çuditshme, sepse të gjithë jemi kaq të familjarizuar me gjithë veprimtarinë e tij”, ka thënë Elmar Juchem, redaktor i përmbledhjes me partiturat e Weillit, që kishte gjetur dorëshkrimin trefaqësh të këngës. “Kjo na ka zënë në befasi dhe në të vërtetë s’i kishte shkuar në mendje askujt”.

Zbulimet sikur kjo për Weillin janë jashtëzakonisht të rralla. Kompozitori kishte ikur nga Gjermania më 1933 nën kërcënimin e persekutimit nazist, dhe shumë nga letrat e dorëshkrimet e tija ose ishin fshehur, ose shkatërruar.

“Zbulimi i fundit më i madh për Weill qe bërë më 1983 dhe kunata e tij kishte vënë në dispozicion një mori veprash të mëparshme”, ka thënë Kim Kowalke, president i fondacionit “Kurt Weill Foundation for Music” në New York.

Juchem ka thënë se së fundi ka qenë duke bërë hulumtime në Universitetin e Berlinit për “Happy End” të vitit 1929, që ishte ripërpunimi i Weill dhe Berlott Brech për “The Threepenny Opera”, kur e pyeti arkivistin nëse kishte diçka tjetër aty që lidhej me përmbledhjen e krijimtarisë së Weill. Kësisoj, atij ia treguan dorëshkrimin që ishte dërguar nga aktorja Gerda Schaefer në teatrin “Volksbühne”.

Juchem ka thënë se ai në fillim nuk i besoi arkivistit, por më pastaj kur e pa dorëshkrimin “iu rrotullua bota”. Pastaj nisi të kërkojë se ku kishte zënë fill kënga.

Lenya e kishte përmendur edhe më parë këngën, por nën një titull tjetër, “Song of the Blind Maiden”. Në vitin 1960 ajo kishte bërë përpjekje ta gjente këngën, por kishte mbetur duarthatë... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme