Kulturë

“Idriz Seferi” përurohet më 27 nëntor në Gjilan

Descriptive Text

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan, ka mbajtur sot takim me strukturat e partisë, si parapërgatitje për garën e balotazhit më 19 nëntor, në të cilin është bërë publik edhe orari i tubimeve dhe takimeve me qytetarë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar strukturat e partisë për mbështetjen e jashtëzakonshme në zgjedhjet e 22 tetorit, ndërkaq ka kërkuar angazhimin e madh për balotazhin, transmeton Koha.net.

“Më 22 tetor e keni bërë Gjilanin fitues të madh dhe e rikthyet bastionin e madh të rugovizmit. Ky bastion më nuk mund të thyhet. Gjilani dëshmoi se përkrah ideologjinë e Idriz Seferit, Mulla Idriz Gjilanit e Agim Ramadanit dhe jo ideologjitë tjera”, ka thënë Haziri.

Haziri pohoi se rritja e LDK dëshmon se Gjilani ka fol fuqishëm më 22 tetor, duke thënë se më 19 nëntor do të shënoj rezultat epokal.

“Bashkë do të vazhdojmë me angazhim maksimal deri më 19 nëntor për ta vulosur fitoren e LDK-së. Kjo meritë iu takon të gjithë juve që jeni këtu. Gjilani e ka veç një fytyrë dhe shumica kane qenë dhe do të bëhen pjesë e fitores së madhe më 19 nëntor. Ne po kandidojmë me program, me besë e shpresë për qytetarët”, shtoi Haziri.

Haziri pohoi se Gjilani është fuqia e dytë financiare dhe ekonomike në Kosovë.

“Kjo është arritur falë punës së palodhme të qytetarëve të Gjilanit dhe falë punëdhënësve e gurbetçarëve tanë”, tha ai.

Në fund, kreu i Gjilanit dhe kandidati i LDK-së për edhe një mandat qeverisës, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se në këtë qytet do të zbarkojnë përfaqësuesit më të lartë të kombit shqiptar nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Kosova, për të marrë pjesë në inaugurimin e shtatores gjigante të kolosit të kombit, Idriz Seferi.

“27 nëntori i vitit 2017 do të jetë i një rëndësie historike, pas historisë që është shënuar në Vlorë sepse kolosi i Karadakut ka luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare”, tha Haziri.