Fotografitë e Franco Fontanës prezantohen në Javën e Gjuhës Italiane

Fotografitë e Franco Fontanës prezantohen në Javën e Gjuhës Italiane

11 nëntor 2017 17:59

Peizazhe mahnitëse dhe elemente të trashëgimisë kulturore të Italisë janë prezantuar përmes dyzet fotografive të shkrepura nga Franco Fontana, i cili konsiderohet si një nga eksponentët më të mëdhenj të fotografisë italiane që nga vitet '70.

Pas Tiranës, Zagrebit, Rjekës, Splitit dhe Beogradit, fotografitë e mjeshtrit Fontana janë shfaqur të enjten mbrëma edhe në Prishtinë.

Ngjyrat e plota, të cilat Fontana i ka përdorur në këto fotografi, transformojnë natyrën në formë abstrakte, raporton emisioni Express në KTV.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Sardi, theksoi se Fontana, bazuar në fushat e ngjyrave, përmes fotografisë ka punuar në kërkim të një stili thelbësor.

“Franco Fontana, përmes këtyre fotografive, paraqet disa pjesë të bukurisë së Italisë, të shkrepura në fund të shekullit të kaluar. Këto peizazhe që paraqiten si piktura janë vendet më të bukura në Itali. Paraqitja e lëndinave dhe fushave përbën një thellësi të bukurisë së trashëgimisë kulturore italiane.”

Fotografi Afrim Spahiu, duke komentuar veprat e kësaj ekspozite, deklaroi se është nder që fotografitë e Fontanës po shfaqen në Prishtinë.

Mjeshtri i fotografisë Franco Fontana u lind më 1933 në Modena të Italisë. Që nga vitet ‘70 deri më sot, ai ka realizuar më shumë se dyzet libra për fotografinë, ndërsa punimet artistike i ka prezantuar përmes 400 ekspozitave personale dhe kolektive në muzetë dhe galeritë e ndryshme në botë.

Ekspozita me fotografitë e Franco Fontanës do të qëndrojë e hapur gjashtë ditë në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ndërsa ajo është organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, në kuadër të Javës së Gjuhës Italiane.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme