Trio italiane me jazz koncert në “Jusuf Gërvalla” të Pejës

Trio italiane me jazz koncert në “Jusuf Gërvalla” të Pejës

10 nëntor 2017 18:16

Jazz koncerti i trios nga Italia “Kekko Fornarelli Trio” vjen në Pejë në kinemanë “Jusuf Gërvalla” më 18 nëntor 2017 prej orës 20:00, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Kurse të nesërmen, më 19 nëntor, do të mbahet edhe masterklasa e artistëve për të gjithë të interesuarit që të mësojnë më shumë në lidhje me jazzin me Kekko Fornarelli (piano & synth) Federico Pecoraro (bassi elektrik) dhe Dario Congedo (tupana)”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Kekko Fornarelli Trio është aktualisht një nga grupet më të njohura ndërkombëtare të jazzit. Turneu që ka sjellë shfaqjet e tyre në më shumë se 35 vende në botë gjatë katër viteve të fundit - Evropë, Azi, dhe Australi - ka qenë një sukses i madh kudo. Një interpretim origjinal i formacioneve më klasike të xhazit, ky ansambël me tre virtuoz italianë të jazzit mishëron idenë e Fornarellit për një muzikë për të vëzhguar, më shumë sesa thjesht për të dëgjuar.

Kekko Fornarelli i lindur në Bari, Itali është pianist, kompozitor dhe producent. Me katër albume të lëshuara dhe më shumë se 200 koncerte anembanë botës, është aktualisht një nga artistët më të vlerësuar ndërkombëtarisht.

Ai ka zhvilluar një stil unik, të karakterizuar nga përpjekja për të krijuar muzikë për tu dëgjuar dhe vëzhguar. Muzika e tij është një kombinim i ngushtë i ideve moderne evropiane të veriut dhe lyricizmit neoklasik, të filtruar nga dielli i tij i ngrohtë dhe jashtëzakonisht mesdhetar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme